Tiranë | PD kërkesë për referendum dhe mocion debati

Partia Demokratike do të depozitojë sot në Kuvend kërkesën për mbajtjen e një referendumi popullor për çështjen e armëve kimike. Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, kreu i kësaj partie, Lulzim Basha, theksoi se “për këtë çështje kaq jetike duhet dhe do të vendosë populli sovran, duhet të vendosin shqiptarët me të drejtë, vote nga i pari deri te i fundit”. “Dua të garantoj sot çdo shqiptar, mbështetës apo jo të PD-së, se zëri dhe vullneti juaj është çështja më e shtrenjtë, se në përmbushje të detyrimeve tona si opozitë jemi të vendosur që, bashkë me ju, të bëhemi një barrierë e pakalueshme për paligjshmërinë, arbitraritetin dhe papërgjegjshmërinë e Edi Ramës”, tha Basha. Kreu i PD-së u shpreh se “zotimi im solemn si kryetari i PD-së është se asgjë nuk do të mund të pengojë aplikimin e drejtpërdrejt të demokracisë së popullit për këtë çështje të ndjeshme si kjo e armëve kimike dhe për çështje të tjera madhore që kanë të bëjnë me mirëqenien , sigurinë, shëndetin publik dhe dinjitetin e shqiptarëve”. Bashkë me kërkesën për referendum, vijoi Basha, grupi ynë parlamentar do të dorëzojë sot edhe kërkesën për mocion me debat me kryeministrin që të japë shpjegime para publikut për këtë aferë që jo vetëm ia ka bërë gjakun ujë shqiptarëve, por ka ardhur si një investim shumë negativ për imazhin e vendit. “I kërkoj zotit Rama me forcë e përgjegjësi të jetë i hapur dhe transparent para qytetarëve dhe me opozitën”, përfundoi Basha.

Advertisement