Tiranë | Protesta para Parlamentit për armët kimike, policia merr masa

Policia e Kryeqytetit ka marrë të gjitha masat për të garantuar rendin dhe sigurinë për qytetarët e Tiranës, përgjatë protestës së paralajmëruar nga shoqëria civile lidhur me sjelljen e armëve kimike siriane drejt vendit tonë. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, mësohet se përgjatë protestës, angazhohen një numër i konsiderueshëm efektivësh, pjesë e të gjashtë komisariateve të drejtorisë së qarkut Tiranë. Po ashtu, bëhet me dije për drejtuesit e mjeteve se do ketë qarkullim të kufizuar të mjeteve përgjatë rrugës “George Bush”,segment ky që lidh rrugën e Elbasanit me zonën e 9-katësheve. Policia e Kryeqytetit siguron se efektivë të Policisë do të ketë edhe në rrugët lidhëse me Parlamentin, si edhe nëpër institucionet arsimore prej ku është lajmëruar se studentë edhe nxënës do të nisen për t’u bashkuar me protestuesit e tjerë tek Parlamenti. Protesta nën moton ‘Stop Armëve Kimike në Shqipëri”, e cila një ditë më parë u shtri edhe në disa qytete të vendit do të vijojë sot në zonën përballë sallës së seancave plenare të Kuvendit.

Advertisement