Tiranë | Obama letër Berishës: Shqipëria, aleat dhe mik i SHBA-ve

Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, i ka dërguar ish-Kryeministrit Sali Berisha një letër, ku vlerëson rolin dhe kontributin e tij për thellimin dhe forcimin e lidhjeve mes dy vendeve. Në letrën, e i cila është publikuar nga ish-kryeministri Berisha në rrjetin social “Facebook”, Obama shkruan se “ka qenë nder dhe kënaqësi që kam punuar me Ju gjatë mandatit Tuaj si Kryeministër i Shqipërisë. Shqipëria është një aleat dhe mik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ne gëzojmë një partneritet të fortë në shumë fusha. Si Kryeministër, Ju keni ndihmuar ne thellimin dhe forcimin e lidhjeve midis dy vendeve tona”. Duke e falenderuar Berishën për “mbështetjen Tuaj ndaj përpjekjeve tona në Afganistan dhe Siri, si dhe për punën Tuaj në ruajtjen e stabilitetit në Ballkan”, Obama thekson më tej se “do të doja gjithashtu të rikonfirmoj mirënjohjen time për bashkëpunimin e qeverise suaj në lehtësimin e transferimit të të burgosurve të Guantanamo Bay dhe banorëve te Hurriya Kamp. Këto janë çështje të rëndësishme dhe ne e vlerësojmë mbështetjen e fortë të Shqipërisë”. “Ndërsa Ju kaloni në rolin Tuaj si një anëtar i rëndësishem i opozitës, unë e di se Ju do të mbeteni i angazhuar pozitivisht në proçesin e ndërtimit të kauzës së Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Shqipëria ka nevojë për një opozitë efektive dhe konstruktive që fokusohet në zhvillimet e vendit dhe punon me qeverinë e re për të prodhuar rezultate të prekshme për popullin shqiptar.Me lejoni t’Ju bëj urimet e mia më të mira për sukses të madh dhe lumturi në të gjitha përpjekjet tuaja në të ardhmen”, përfundon letra për ish-kryeministrin Berisha, nga Presidenti i SHBA-së, Obama.

Advertisement