Tiranë | Miratohet monumenti i 100 vjetorit të pavarësisë

alt

Duke vlerësuar punën serioze që është bërë në drejtim të përzgjedhjes, Kryeministri Berisha falënderoi të gjithë artistët, piktorë e skulptorë, vendas e të huaj, që morën pjesë gjerësisht në këtë garë, duke paraqitur vepra të një cilësie të lartë, që përfaqësojnë denjësisht idenë për të cilën janë krijuar. Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, bëri një paraqitje të 5 veprave më të mira të përzgjedhura nga Juria e përbërë nga personalitete të shquara të kulturës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare. Juria vlerësoi në vendin e parë me 31 pikë veprën e krijuar nga bashkëpunimi i artistit kosovar Visar Obrija dhe atij gjerman Kai Roman Kiklas. Vepra paraqitet në formën e një kubi, i cili hapet, duke përfaqësuar kështu idenë e një fortifikimi, pra të Shqipërisë si një vend i izoluar dhe i mbyllur, i cili më pas hapet. Monumenti i lartësisë prej 4 metrash krijon një hapësirë brenda të cilit qytetarët do të mund të kalojnë. Gjithashtu, brenda tij është e shkruar me lazer Deklarata e Pavarësisë. Materiali me të cilin do të ndërtohet Monumenti është i tillë që gjatë ditës do të mbledhë energjinë, duke bërë që të ndriçojë në mënyrë të natyrshme natën. Pas paraqitjes së bërë nga zoti Bumçi, Komiteti vijoi me diskutimet lidhur me këtë vepër, duke e miratuar atë si Monumentin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në vijim, Komiteti mori në diskutim dhe miratoi posterat e 100 vjetorit të pavarësisë. Në konkursin ku morën pjesë 23 artistë, u përzgjodhën 5 punime, nga të cilat Komiteti miratoi 3 të parat. Gjithashtu u propozua që vepra në pikturë e artistit të shquar Ibrahim Kodra “Shqipëria fantastike” të përdoret gjerësisht, si dhuratë simbolike në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë. Në përfundim, Komiteti miratoi vendimin për përdorimin e logos në institucionet dhe vendimet që ajo duhet të shoqërojë . Gjithashtu logo është lënë e lirë që të përdoret nga shoqata të ndryshme nëpër aktivitetet kushtuar 100 vjetorit të pavarësisë.

Advertisement