“Me këtë vendim dhe instalimin e kësaj praktike pas një pune intensive që ka bërë Agjencia e Prokurimeve Publike, Shqipëria realizon standardin më maksimal të transparencës që ekziston në këtë fushë themelore të veprimtarisë ekonomike të vendit”, tha Berisha. “Ne ishim vendi i parë në planet që kaloi në 100 % prokurime elektronike. Bëhemi vendi i parë me koncesione 100% elektronike”, theksoi Kryeministri duke shtuar se, “ky vendim si dhe instalimi i kësaj praktike bën të mundur futjen e rrezes së diellit në çdo qelizë të procesit të koncesionit. Ky vendim, vijoi Berisha, “përbën suksesin e dytë më madhor në historikun e këtij procesi pas miratimit të ligjit të ri për koncesionet, ligj i cili shndërroi koncesionet nga një proces tërësisht i dështuar në në njërin prej proceseve më të suksesshme në historinë e vendit”. Kryeministri informoi se ky sukses është në fushën e energjisë së rinovueshme. “METE ka firmosur me sektorin privat kontrata për ndërtimin e 320 hidrocentraleve në qindra burime ujore”, tha Kryeministri. Sipas Kryeministrit Berisha, ky ligj bëri të mundur ndezjen e një gare të paprecedentë në historinë e vendit, ndërsa përpjekjet për të baltosur këtë proces përfunduan të gjitha aty ku e kanë vendin shpifjet dhe trillimet.