Sipas Kryeministrit, ekziston një përpjekje e re për të dhunuar Kushtetutën e vendit nga Presidenti i Republikës, i cili e mbyll mandatin duke regjistruar akte rekord në historinë e një demokracie, të dhunimit dhe thyerjes së Kushtetutës. “Ky zotëri, në konceptin më primitiv, më rudimentar, më të prapambetur, konsideron karrigen e Presidentit mbi ligjin themelor të shtetit”. “Pikërisht për këto arsye, Gjykata e Lartë mbeti muaj të tërë pa kryetarin e saj. Pikërisht për këto arsye, të njëtin fat pësoi dhe Gjykata Kushtetuese”, tha Berisha, duke shtuar se, “me këtë psikologji u shkelmua vendimi i Gjykatës Kushtetuese që i kërkon Kreut të shtetit të kooperojë me parlamentin. Sipas Kryeministrit, “Kushtetuta në nenin 196 shprehet me qartësi të kristaltë se, KLD përbëhet nga 15 vetë, nga të cilët 9 janë detyrimisht gjykatës që zgjidhen nga trupa gjykuese e vendit”. “Të tjerët janë personalitete et-oficio dhe të tjerët zgjidhen nga parlamenti. Kushtetuta nuk ka lënë hapësirë që trupa gjyqësore e vendit të përfaqësohet nga 7 apo 8 persona. Është taksative kur thotë se përfaqësohet nga 9 gjykatës”, tha ai. Duke vijuar më tej Berisha sqaroi se, “Kushtetuta në frymën e saj thotë se nga këta 9 gjykatës s’mund të zgjedhësh nën/kryetarin”. Ndër të tjera kryeministri Sali Berisha u përgjigj në lidhje me shkrimin e publikuar dje nga gazeta kosovare “Zëri”, sipas së cilës, shefi i qeverisë shqiptare ka bllokuar projektin për ndërtimin e linjës 400 kilovoltëshe të interkonjeksionit, e cila lidh Kosovën me Shqipërinë. Sipas Kryeministrit, ky shkrim ishte një krizë e radhës e mafies së dëshpëruar. “Mafia nuk ka atdhe, atdheu i saj është shpella ku ndan paratë e krimit. Mafia nuk ka sy, vetëm fytyrën e krimit, nuk ka moral”, u shpreh kryeministri Berisha, duke theksuar se linja e interkonjeksionit me Kosovën do të bëhet, por në përputhje të plotë me ligjin, rregullat dhe interesin e qytetarëve shqiptarë. Sipas kryeministrit, “oferta që përmend Edi Rama është 30% më e kushtueshme se oferta tjetër për të cilën drejtuesi i OST-së, mendon se duhet të fitojë. Ministria e Financave nuk pranon një borxh prej 10 milionë dollarë më shumë për shkak të preferencave që tregojnë për një kompani apo për një tjetër”. “Unë di që ka patur një ankesë në Këshillin e Ministrave. Ai ka bërë kontrollin dhe ka marrë vendimin që i’a ka përcjellë autoritetit kontraktues”, tha Kryeministri. Kryeministri Sali Berisha sa i përket zgjedhjes së presidentit u shpreh se do të ketë konsultime me koalicionin dhe me opozitën. Nuk përjashtojmë mundësinë e konsultimeve me opozitën për zgjedhjen e Presidentit të ri, por Presidenti do të jetë një ndër figurat kryesore të PD-së, deklaroi kryeministri i Berisha në bashkëbisedimin e tij me gazetarët. “Do të jetë një proces kushtetues. Pa diskutim do ketë konsultime me koalicionin dhe me opozitën. Konsultimet janë të hapura, por Presidenti do të jetë një nga personalitetet e shquara të PD-së” tha Berisha. Por Kryeministri u shpreh skeptik për arritjen e rezultateve konkrete, duke u bazuar në votimin e fundit për anëtarin e ri të KLD-së në Kuvend. “Opozita ka një problem të lindur me votën, ka frikë më shumë se asgjë nga vota”, u shpreh Berisha. Sipas tij, procesi i zgjedhjes së Presidentit të ri do të jetë plotësisht kushtetues dhe do të pranohen të gjitha modalitetet që përmban rregullorja e Parlamentit Europian. “Çfarëdo që të ketë rregullorja e Parlamentit Europian do ta pranojmë, për zgjedhjen e presidentit të ri. Opozita le të sjellë nesër modalitetet e këtij votimi dhe ne do ti pranojmë”, deklaroi kryeministri. Ndërkohë, Kryeministri Berisha theksoi gjatë konferencës për shtyp se, mazhoranca nuk do të marrë asnjë nismë ndaj Presidentit Topi edhe nëse ai nuk tërhiqet nga propozimi i tij për postin në KLD. Ai u shpreh se Topi duhet t’i kalojë i qetë ditët që i kanë mbetur në Presidencë, ndërsa nuk nguroi ta akuzojë se e ka kthyer këtë institucion në vendin ku organizohen mbledhjet e partisë së tij.