Muça tha se me urdhrin e Kurbanit manifestohet heroizmi, sakrifica dhe devotshmëria ndaj Zotit të Madhëruar dhe kjo festë nxit njerëzit që të jenë gjithmonë të gatshëm të bëjnë sakrifica për të mirën e përgjithshme, për fe e atdhe. Siç shprehet Haxhi Selim Muça, përmes urimit të tij, Bajrami në Islam është qetësi dhe dinjitet, ku myslimanët falënderojnë dhe madhërojnë Zotin që është Një dhe i Gjithëfuqishëm, dhe në shenjë mirënjohjeje falin namazin dhe presin kurbanin. “Qëllimi shoqëror i Kurban Bajramit është që kjo festë të mbërrijë në dyert e çdo shtëpie. Ditët e Bajramit janë ditët e lumturisë së përbashkët me vëllezërit e tjerë, janë ditët e lulëzimit të ndjenjave të vëllazërisë, paqes e shëndetit, janë ditët e gëzimit të përbashkët me të afërmit, fqinjët, shokët dhe të gjithë njerëzit në botë”, përfundon Kryetari i komunitetit Mysliman, mesazhin e tij të urimit.