Tiranë | Basha: Rinia e ka treguar qëndrimin e saj ndaj qeverisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh gjatë një takimi me të rinjtë e Partisë Demokratike, se rinia shqiptare e ka treguar qëndrimin e saj përgjatë 9 muajve të qeverisjes së Edi Ramës. Sipas kreut të PD-së, “në këto 9 muaj të qeverisjes së Edi Ramës, droga nuk po zvarritet, por po lumturon. Droga ka pushtuar ajrin, pasurinë që i përket qytetarëve shqiptare”. Basha shtoi se, qeveria aktuale po vendos oligarkinë e drogës dhe se ky është fundi i demokracisë. “Historia është droga me avionë, janë bosat dhe baronët e drogës, është karteli i drogës që ka marrë yrysht dhe ka vënë në zbatim planin e vet ogurzi që para zgjedhjeve të kaluara. Planet e vet për të blerë zgjedhjet, pushtetin, lirinë, ajrin, ujin dhe gjithçka të mirë kemi për të vendosur oligarkinë e drogës që është fundi i lirisë dhe demokracisë. Pyetja që shtrohet sot është a do ti lejojmë? A do çohemi të gjithë të bashkuar dhe do ti ndalim?” Më tej Basha theksoi se kryeministri Rama është përgjegjësi kryesor për situatën e krijuar dhe se ai duhet të largohet nga qeveria. “Si erdhëm deri këtu? Çfarë na solli deri këtu? Shqiptarët tregojnë sot me gisht Edi Ramën si përgjegjësin numër një për situatën e krijuar në vend në lidhje me trafikun e drogës. Ai ishte dhe është personi përgjegjës që u tall dhe u përqesh me denoncimet e ardhura. Me informacionet e depozituara nga punonjës të ndershëm është ai që përqeshi këto informacione duke i cilësuar avionët e drogës mushkonja. Është ai që duke injoruar, fshehur, maskuar, të vërtetën për trafikun drogës i garantoi dhe u shkeli syrin narkotrafikantëve. Me sindromën e vitit zero shkatërroi policinë e shtetit”. Kreu i PD-së përsëriti thirrjen për protestë ditën e nesërme në orën 10:00 para Kuvendit.

Advertisement