Tiranë | Basha: Opozita e gatshme për bashkëpunim për drejtësinë

Opozita do të marrë pjesë në reformën në drejtësi me propozime konkrete.

Kështu deklaroi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PD-së. Duke shprehur gadishmërinë e opozitës për të dhënë kontributin e saj në realizimin e kësaj reforme, Basha shprehu bindjen se “problemet në drejtësi dhe reforma në veçanti, mund të rregullohen, apo të ndërmerren duke bashkëpunuar dhe me gjithëpërfshirje”. Kjo sipas tij, duke respektuar parimin Kushtetues të pavarësisë institucionale. “Rama-Meta, kërkojnë të imponojnë me arrogancë reformën në drejtësi, jashtë kuadrit kushtetues, siç edhe tregojnë sulmet e fundit ndaj KLD-së”, deklaroi kreu i opozitës. “Ne jemi për gjithëpërfshirje në reformën në drejtësi, të të gjithë aktorëve, si Presidenti i Republikës, të aktorëve institucional dhe të asistencës evropiane dhe Amerikane, Komisionin e Venecias dhe institucione të tjera të Bashkimit Evropian. Rama, me të vetët e ka nisur vetëm, po e vazhdon vetëm, duke përjashtuar faktorin ndërkombëtar me synimin e vetëm për të kapur sistemin e drejtësisë”, tha Basha. Duke folur para grupit parlamentar të PD-së, Basha deklaroi se theksoi se “opozita shumë shpejt pritet të bëjë publike dokumentin strategjik për Reformën në Drejtësi. Dyshja, Rama-Meta, nuk kanë asnjë vizion për reformimin e sistemit të drejtësisë”. “Reforma duhet të përfshijë në pikëpamjet tona dhe transferimin e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë, sipas meritës. Këto dhe të tjera çështje janë në themel të reformës tonë në drejtësi. Do konsultohemi dhe më një sërë aktorësh të tjerë ”, përfundoi Basha.

Advertisement