Pas prestigjozes “The Economist”, apo revistave të tjera me emër si “Vanity Fair”, “Vogue”, “L’Espresso” etj, “The Guardian” e rendit Tiranën si një nga qytetet më miqësoree kushtet më të përshtatshme ndaj fëmijëve, mes Rotterdamit, Bogotas, Lexingtonit dhe Vancouverit.

Në artikullin e saj, Laura Laker, shkruan se përkundër zërit të një minorance që protestoi për ndërtimin e këndit të lojërave te Liqeni Artificial, shumica fitoi, ndërsa thekson se në të gjithë qytetin janë ndërtuar 31 kënde të reja lojërash, që dikur kanë qenë hapësira të zëna nga ndërtimet informale.

Advertisement

Gjithashtu, artikulli i kushton një vëmendje edhe sheshit “Skënderbej” dhe nismave të Bashkisë së Tiranës për ditët pa makina, të cilat kanë sjellë një ulje të nivelit të ndotjes së PM 10 me 15%.

Shkrimi i Laura Laker për “The Guardian”

Realiteti i sotëm për fëmijët që jetojnë në zonat urbane është se kalojnë shumë kohë brenda katër mureve të shtëpisë, duke luajtur me smartfonë. Por, disa qytete po e luftojnë këtë trend negativ me mënyra inovative, që i mbajnë fëmijët të shëndetshëm, socialë dhe jashtë dyerve të shtëpisë Imagjinoni sikur jeni një fëmijë 10 vjeçar, jetoni në një qytet mesatar dhe duhet të shkoni të takoni shokun tuaj të ngushtë, 5 minuta larg, për të luajtur në një park vetëm 10 minuta që aty. Por, ka një problem: juve dhe shokut tuaj iu ndan një rrugë e rrezikshme, dhe një tjetër po aq e rrezikshme ndodhet mes jush dhe parkut. I kërkoni prindërve t’ju shoqërojnë, por ata thonë jo, sepse janë shumë të zënë.

Si këmbim, ti bisedon me shokun tënd në Snapchat apo luan me lojëra elektronike në divanin tënd. Ky është realiteti i sotëm i fëmijëve, por nuk duhet domosdoshmërisht të jetë kështu.

Tirana: Besojini shumicës së heshtur!

“Mos e nënvlerësoni fuqinë e fëmijëve”, thotë kryetari në moshë të re i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Një studim në këtë qytet tregoi se prindërit e fëmijëve shpenzonin më shumë para për të mirëmbajtur makinat se sa për fëmijët e tyre. Pikërisht, këtë statistikë, Veliaj e përdori si bazë morale për të rishikuar prioritetet. Në një qytet me fonde të kufizuara, bizneset kanë sponsorizuar transformimin e kopshteve dhe çerdheve, duke i kthyer nga disa dhoma që u ngjanin qelive të burgut, në hapësira të bukura. 10 të tjerë janë në ndërtim e sipër përmes partneritetit publik-privat.

Në sheshin “Skënderbej” u ndalua jo pak herë qarkullimi i makinave dhe duket se kjo i bindi banorët e Tiranës që ta pranojnë këtë hapësirë, si një zonë krejtësisht pedonale. Çdo 3 muaj, zona pedonale shtohej me nga një rrugë të re, deri sa qendra e qytetit u kthye në një hapësirë plotësisht pa makina. Treguesit e PM10 për ajrin tregojnë se ndotja është ulur tashmë me 15%. Ndryshimi nuk është gjithmonë i lehtë në një qytet ku makina është një simbol i fortë dhe status për çdo individ. Ndërtimi i një këndi të madh lojërash në Liqenin Artificial të Tiranës, shkaktoi shumë protesta, madje disa prej tyre të dhunshme.

“Një pakicë uturitëse, e cila ka lidhjet e saj për interesa të ngushta, bën gjithmonë zhurmë. Por, ne besojmë se shumica e heshtur do ta thotë fjalën e saj kur këndi të hapet”, tha asokohe Veliaj. Në vitin e parë, kryebashkiaku i Tiranës mori thuajse 40 mijë metër katrorë nga ndërtimet informale, duke krijuar kështu hapësira për 31 kënde të reja lojërash. Një unazë pyjore që po krijohet me pemët që fëmijët i mbjellin për ditëlindje, po shtohet dita-ditës në Tiranë.

“Në një kohë kur shtete të tëra flasin për mure, ne po ndërtojmë mure pemësh, për të oksigjenuar qytetin” thotë Veliaj. Rreth 60% e pemëve ka ardhur si donacion i qytetarëve dhe bizneseve, këta të fundit mbjellin dy pemë për çdo makinë që kanë në pronësi. Ndërkohë, një tjetër unazë rreth qytetit për ecje, çiklizëm dhe transportin publik, është në ndërtim e sipër.

Tirana krenohet gjithashtu, edhe për një “Këshill bashkiak fëmijësh”, aty ku të vegjëlit takojnë kryetarin e Bashkisë, debatojnë me të dhe përgjigjet që marrin, i diskutojnë edhe në klasë. “Gjëja më e mirë për fëmijët”, shton Veliaj, “është se ata nuk kanë një axhendë të fshehur, por janë avoketërit më të mirë për të ndikuar te prindërit që të riciklojnë mbetjet, të ecin apo të përdorin biçikletat”.

Shkrimin e plotë dhe origjinal mund ta gjeni këtu.