Tërmet në Japoni, 3 të vdekur dhe qindra të plagosur

Një tërmet i fuqishëm në Osaka të Japonisë ka vrarë të paktën 3 persona, përfshi një fëmijë, e ka lënë të plagosur më shumë se 200 të tjerë. Aeroportet në zonën e prekur u mbyllën për disa orë, ndërsa linjat hekurudhore u ndërprenë gjithashtu, sikurse edhe fabrikat ndalën punën prodhuese.

Lëkundja me magnitudë 6.1 nuk ishte gjithsesi aq e fuqishme sa për të shkaktuar një alarm për cunami, ndaj dhe impiantet bërthamore pranë zonës vijuan të operonin normalisht.

Advertisement

Japonia shtrihet në një rajon tejet të prekshëm nga tërmetet, ku shënohen gati 20% e lëkundjeve botërore me magnitudë mbi 6.

Tërmeti i së hënës në Osaka ra pak përpara orës 8 të mëngjesit të së hënës, në veri të qytetit.

Një vajzë 9-vjeçare mbeti e pajetë, pasi i ra sipër muri i shkollës. Një burrë i moshuar mbeti gjithashtu viktimë e rrëzimit të një muri, ndërsa një tjetër mbeti i bllokuar nën rrënojat e shtëpisë së tij.

Atsushi Yokoi, një shkencëtar me banim në Ibaraki-shi, shumë pranë epiqendrës së tërmetit, tha për BBC-së se ishte në gjumë në momentin e lëkundjes. “Më zgjoi patjetër, ishte shumë i fuqishëm dhe zgjati për 5 sekonda”, tha ai, përpara se t’u telefononte familjarëve dhe miqve e më pas të shkonte në punë.

Shumë njerëz u bllokuan në ashensorë dhe rrugët pësuan sërish disa gropa “thithëse”. Rreth 170 mijë shtëpi mbetën pa energji elektrike, ndërsa furnizimi me gaz iu ndërpre mbi 100 mijë shtëpive.

Tërmeti me magnitudë 6.1 sipas shkallës matëse në Japoni, nga Shërbimi Gjeologjik amerikan u raportua si i magnitudës 5.3. Tërmeti preku edhe prefekturat e Kyotos, Naras, Hyogos dhe Shigas.