Shembja e Teatrit Kombëtar është tema më e përfolur e momentit.
Shumë aktorë, politikanë, arkitektë, etj, kanë vënë përballë mendimet dhe argumentet e tyre për të vendosur njëherë e mirë çdo të ndodhë me të.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarë në Barcelonë, arkitekti i Studios Bjarke Ingels Group, thotë se godina aktuale e Teatrit Kombëtar nuk ka mundësi që të rikonstruktohet. Ai është i mendimit se dy godinat aktuale të teatrit janë jashtëzakonisht të ngushta, duke mos krijuar hapësirën e nevojshme fizike.
Bjarke Ingels sqaron se godinat ekzistuese nuk janë ndërtuar me qëllimin për të funksionuar si Teatër Kombëtar, por si hapësira argëtimi për ushtarakët italianë.
“Ne e studiuam me shumë kujdes hapësirën dhe mundësinë e përdorimit të dy godinave ekzistuese, por ato janë jashtëzakonisht të ngushta. Godina aktuale thjesht nuk e ka gjeometrinë, nuk e ka hapësirën, për të qenë një Teatër Kombëtar i vërtetë. Ne mund të bënim disa shtesa tek godinat ekzistuese, por në fund do të kishim dy volumet gjatësore dhe do bënim shtesa të tjera në lartësi dhe anësore. Do të bëhej pak si një ndërtesë ‘frankenshtein’, kjo do të ishte jo praktike, aspak elegante dhe shumë shumë e shtrenjtë si ndërhyrje”.
Gjatë gjithë kësaj kohe, Ingles ka qëndruar larg këtij debati madhor, por gjatë konkursit për hapësirat publike të zhvilluar në Barcelonë, ai është përpjekur t’ua shpjegojë gazetarëve shqiptarë, pikërisht duke marrë si shembull Barcelonën.
“Shumë pranë me hapësirën ku ndodhemi (Qendrën Kulturore Bashkëkohore të Barcelonës), ndodhet Muzeu i Artit Bashkëkohor të Barcelonës. Edhe në këtë hapësirë ndodheshin disa ndërtesa ushtarake të vjetra në atë kohë që u shembën.
Patjetër që edhe atëherë kishte njerëz të shqetësuar që pyesnin çfarë po ndodh, përse po i ndryshoni gjërat, çfarë do të ndërtohet. Por mendoj se po ata njerëz sot, 30 vjet më vonë, janë tejet të lumtur që morën këto vendime të rëndësishme në vitet ’80, dhe mendoj që Tirana ndodhet në një moment të ngjashëm sot”.
Arkitekti danez e mbyll duke thënë se projekti për të cilin është dashur 1 vit punë, premton një nga godinat më të bukura që Tirana ka parë deri më tani.
Ndiqni intervistën e plotë më poshtë.