Sekretares i kërkohet të largohet nga restoranti, pasi punon për presidentin Trump

Sekretarja për Shtypin në Shtëpinë e Bardhë, Sarah Sanders është dëbuar nga një restorant mesnatën e së premtes, për shkakun e thjeshtë se… punon për presidentin Donald Trump!

Bashkëpronarja e “Red Hen” në Lexington të Virginias u kishte kërkuar Sandersit dhe familjes së saj të largoheshin, në shenjë proteste kundër administratës “Trump”. Sipas postimit të Sanders në “Twitter”, “veprimet e bashkëpronares flasin më shumë për të, sesa për mua”.

Advertisement

Stephanie Wilkinson e ka argumentuar veprimin e saj me besimin se Sanders punon për një administratë “çnjerëzore dhe joetike”. Duke folur për “Washington Post”, ajo thotë se i kërkoi zëdhënëses së presidentit Trump të largohej nga tryeza e rrumbullakët me 26 karrige në restorantin e saj, pasi e kishte konsultuar më parë me stafin këtë vendim.

“Më thoni se çfarë dëshironi që të bëj me të. Mundem t’i kërkoj edhe të largohet”, iu është drejtuar pronarja pjesëtarëve të stafit, të cilët menjëherë i kanë thënë “po”, sipas rrëfimit të saj.

Incidenti vjen vetëm pak ditë pasi Sekretarja e Brendshme, Kirstjen Nielsen u prit me vërshëllima e thirrje kundër në një restorant meksikan në Washington DC.

Të dyja rastet vijnë mes presionit gjithnjë e më të shtuar ndaj qeverisë amerikane, për shkak të politikës kontroverse të saj me ndarjen e fëmijëve emigrantë nga prindërit në kufirin meksikan.

Vendimi i administratës për të ndjekur penalisht cilindo prej emigrantëve pa dokumente që kalojnë kufirin për të shkelur në tokën amerikane solli për pasojë ndarjen e rreth 2.300 fëmijëve nga prindërit e tyre gjatë periudhës maj-qershor, e nxiti irritim masiv jo vetëm amerikan por global.

Presidenti Trump e ka ndalur tashmë me dekret ndarjen e fëmijëve nga prindërit, por mbetet ende i vendosur për zbatimin e politikës së “tolerancës zero”.