Mbi 5000 shtetas me origjinë nga vendet e luftës kanë tentuar të hyjnë në vendin tonë, por Policia Shqiptare në bashkëpunim me partnerët i ka identifikuar dhe sipas ligjeve në fuqi në vendin tonë dhe në respektim të konventave ndërkombëtare ka realizuar ri-atdhesimin e tyre, duke i ridërguar në vendin nga i cili kishin kaluar kufiri.
Këtë tha të martën, Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri gjatë një seance dëgjimore në Komisionin e Sigurisë në Kryesinë e Kuvendit.
Kreu i Rendit dhe Sigurisë në vend gjatë seancës dëgjimore ishte i shoqëruar nga zv/Ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea dhe nga Drejtori Përgjithshëm i Kufirit, Genc Merepeza.
Tahiri tha se Shqipëria ka marrë masat paraprake për të përballuar një fluks eventual emigrantësh me origjinë nga vendet e luftës. “Vendi ynë, ashtu si të gjitha vendet e rajonit apo Europës nuk është imun nga faktori emigrant. Vendi ynë në këtë kuadër ka marrë masat paraprake, duke rritur nivelin e sigurisë dhe monitorimit të kufijve. Më lejoni t’ju them se rreth 5000 emigrant nga vendet e luftës kanë tentuar të hyjnë në vendin tonë përmes kufirit të gjelbër apo në kufi. Policia me të identifikuar personat, ka kryer procedurat e riatdhesimit, duke ia dorëzuar palës nga ku kanë kaluar kufirin”, nënvizoi ministri Tahiri.
Sipas tij, kriza humanitare e emigrantëve duhet të shihet në dy plane kryesore. “E para është çështja humanitare, ku Shqipëria ashtu si të gjitha vendet e Bashkimit Europian duhet të luaj rolin e saj por gjithnjë aq sa mund të mbajmë, pa kaluar mundësitë tona dhe gjithnjë në bashkëpunim të ngushtë me partnerët. Nga krahu tjetër është frika nga terrorizmit, pra luftëtarëve, që fshihen pas këtyre rrymave migratore dhe në këtë drejtim, masat janë edhe më të mëdha. Bashkëpunimi me Europol, Interpol dhe gjithashtu me të gjitha policitë partnere dhe në kufi, veçanërisht me atë të Italisë, na jep mundësinë për të identifikuar dhe për të kapur në kohë identitetin e personave që kërkojnë të përdorin në mënyrë tranzitore vendin tonë, por deri tani nuk ka asnjë shqetësim lidhur me këtë”, tha Tahiri.
Madje, ai njoftoi se “ligji për rritjen e sigurisë, ligji për forcimin e dënimeve ndaj veprave terroriste si dhe shtimi i masave të sigurisë ka bërë që të mos regjistrohet asnjë rast i largimit të shtetasve shqiptarë drejt vendeve të luftës”.
Ministri i Brendshëm pas pyetjeve të bëra nga deputetët socialist, pasi opozita nuk ishte e pranishëm në komision, tha se kapacitetet pritëse janë minimale.
“Por kjo, saktësoi Tahiri, vjen për shkak se dhe fluksi ka qenë i vogël dhe informacionet për mbërritjen e ndonjë fluksi të lartë nuk kanë ardhur ende. Ne gjithsesi duam të jemi gati e të mos bëjmë gabimet e disa prej vendeve fqinjë apo dhe vendeve pjesë të Bashkimit Europian që neglizhuan situatën.
Ministri i Brendshëm shtoi se në kuadër të bashkëpunimit me partnerët dhe marrëveshjen, tha se do të ketë edhe një moratorium bashkëpunimi që do nënshkruhet me partnerët italianë.
Ministri Tahiri në fund të seancës dëgjimore u ndal para mediave dhe garantoi edhe njëherë se Policia ka rritur nivelin e gatishmërisë, teksa kërkoi nga Presidenti Bujar Nishani, dekretimin e ligjit për “Për rritjen e sigurinë publike”.
“Janë rritur kontrollet në kufi në shkolla apo dhe akset kryesore rrugore. Me kalimin e ligjit të ri për sigurinë publike, ky kontroll do të jetë edhe më i madh, prandaj i bëj apel Presidentit Nishani ta dekretojë sa më shpejt ligjin. Unë jam i mendimit se të gjithë mund të sakrifikojmë pak nga privatësia jonë për sigurinë e të gjithëve”, u shpreh Tahiri, duke iu përgjigjur dhe zërave të opozitës se ligji i ri për sigurinë publike cënon privatësinë e publikut.