Të paktën 22 persona janë vrarë dhe 59 të tjerë janë plagosur nga një shpërthim jashtë një salle koncertesh në Mançester. Autoritet britanike janë duke e trajtuar këtë rast si “sulm terrorist”. Policia britanike beson se sulmuesi në Mançester ka ndodhur përmes një kamikazi që ka vdekur në vendin e ngjarjes. Shpërthimi ka ndodhur në orët e vona të së hënës, vetëm pak kohë pas koncertit të këngëtares amerikane, Ariana Grande.

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May ka thënë: “Ne jemi duke punuar për të kuptuar të gjitha detajet e asaj që nga policia po trajtohet si një sulm i tmerrshëm terrorist”.

Advertisement

Shërbimi i Emergjencës i Veriperëndimit në Britani ka thënë se ka dërguar në spital 59 viktima të shpërthimit. Shpërthimi i fuqishëm ndodhi rreth orës 21:45 të së hënës, teksa njerëzit ishin duke u larguar nga “Manchester Arena”, ku këngëtarja Ariana Grande kishte mbajtur koncert. Shërbimet në stacionin e trenit Manchester Victoria, që gjendet përfundi arenës, janë anuluar kanë thënë zyrtarët.

Nëse konfirmohet se ky është sulm terrorist, atëherë do të ishte sulmi më vdekjeprurës në Britani, që prej se katër myslimanë nga Britania, përmes sulmeve vetëvrasëse me bomba vranë 52 persona në sistemin e transportit të Londrës më 2005.