SPAK nuk shkoi dot me lart! Tenderi i uniformave të policisë, mbyllen hetimet për 10 zyrtarët dhe ish-zyrtarët

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim 10 zyrtarët dhe ish zyrtarët të Ministrisë së Brendshme, të përfshirë në skandalin e uniformave të policisë.

Të gjithë të akuzuarit për çështjen e korrupsionit në tenderin e uniformave të policisë në Ministrinë e Brendshme, që ka shkaktuar dëm ekonomik dhe shkelje në barazinë në tendera, tashmë do të përballen me akuzat në GJKKO.

Advertisement

Ish drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara  Edlira Naqellari dhe bashkëpunëtorët e saj, Flutura Çekrezi, Ani Omuri, Kleivis Hasani, Anisa Bogdani,  Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali, Gëzim Mingaj dhe Aurora Mulla, që akuzohen për shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258, 25 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

Nga aktet e administruara ka rezultuar se me datë 11.05.2020 në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme është zhvilluar procedura e prokurimit për llogari të Autoritetit Kontraktor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me objekt “Blerje dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit”, për 4 vjet, me fond limit 2.800.347.570 (dy miliard e tetëqind milion e treqind e dyzet e shtatë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë) lekë (pa TVSH).

Nga hetimi kanë rezultuar veprime të kundërligjshme të bëra nga: titullari i Organit Qëndror Blerës, Drejtor i Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara Edlira Naqellari , në bashkëpunim me anëtarët e Njësisë së Prokurimit Flutura Çekrezi; Anisa Bogdani; Ani Omuri; Kleivis Hasani; A.M.; si dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Gëzim Mingaj , të cilët, në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, kanë favorizuar bashkimin e subjekteve juridike të shpallura fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik, duke sjellë si pasojë cënimin e lirisë së pjesëmarrësve në tendera dhe krijimin e avantazheve të padrejta për palët e treta.

Arrestimet e 10 zyrtarëve dhe ish zyrtarëve janë bërë në lidhje me tenderin abuziv të  11 majit 2020 në lidhje me uniformat e policisë me vlerë 2.8 miliardë lekë, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera. SPAK ka përgjuar dhe vëzhguar 9 zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, ndërsa kanë qenë bashkëpunëtorët e drejtësisë ata që kanë ‘zbërthyer’ skemën e abuzimit me tenderin. Ky tender është refuzuar të firmoset nga një anëtar i Komisionit dhe një anëtar i prokurimeve.