Sot është Dita Botërore e Mjedisit, ja çfarë ndodhi në kryeqytet

Sot në ditën Botërore të Mjedisit disa të rinj, të shpërndarë në pika të ndryshme të Tiranës, zgjodhën një mënyrë origjinale për të falenderuar qytetarët që kishin zgjedhur biçikletën si mjet lëvizës, duke iu dhuruar atyre, në shenjë mirënjohje, llamba LED miqësore me mjedisin e që kursejnë energji, si dhe nga një çantë beze për të zëvendësuar qeset plastike.

Sot e kësaj dite ka qytetarë të cilët gjejnë rrugën më të shkurtër për plehrat e tyre: thjesht i flakin nga ballkoni. Shishe birre, qese, bërthama qershish, veshmbathje, gjellë e mbetur, shishe plastike, kuti shampoje… Barishtet e rritura nuk e fshehin pisllëkun pranë një pallati në Tiranë.

Advertisement

Të bën përshtypje fakti se koshat e plehrave të vendosura nga bashkia janë vetëm pak metra më tutje.

Nismës iu bashkua edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se mënyra më e mirë për të festuar Ditën Botërore të Mjedisit është të japësh një kontribut konkret në mbrojtje të ambientit. “Më vjen mirë që, për herë të parë, nuk po kritikojmë, por po shpërblejmë ata që janë sjellë mirë me mjedisin”, theksoi ai.

Veliaj vlerësoi vendimin e marrë nga qeveria shqiptare për të ndaluar përdorimin e qeseve plastike, të cilat do të ulin ndjeshëm ndotjen. Ai shprehu bindjen se ka ardhur koha që Tirana dhe Shqipëria të jenë pararendëse në ndalimin e qeseve plastike. “Një nga arritjet më të mëdha ishte kur në Tiranë vendosëm pagesën për qeset plastike. Më vjen mirë që këtë vit e kemi çuar një nivel më lart: Qeveria e Edi Ramës, Ministria e Mjedisit morën vendimin për t’i ndaluar totalisht nga 1 Korriku. Vitin tjetër do jemi akoma më mirë se sivjet me ndalimin e qeseve plastike. Shumë vende, edhe më pak të zhvilluara se ne në Afrikë, kanë marrë vendime të tilla të guximshme. Kishte ardhur koha që Tirana dhe Shqipëria të jenë pararendëse kudo në Europë për t’i ndaluar përfundimisht qeset plastike”, tha kryebashkiaku.

Ndërkohë, pas revolucionit të gjelbër me mbjelljen e mbi 120 mijë pemëve, Tirana është qyteti i parë në Ballkan që ka sjellë sistemin e biçikletave pa stacion “Smart Bike Sharing”, një mënyrë ekologjike dhe inovative për të lëvizur në qytet. “Me futjen e 4 mijë biçikletave Mobike, të cilat do t’i mundësojnë çdo të riu me një kosto më të lirë sesa bileta e autobusit, të përdorë biçikletën, besoj se Tirana ka arsye për të qenë mirënjohëse. Sot është dita për t’i dhuruar dikujt një llambë LED, që kursen energji, ose një trastë, si një mënyrë për të thënë: kur jemi bashkë, kur vendosim gjëra të guximshme, mund të bëjmë çudira për mjedisin dhe qytetin tonë”, deklaroi Veliaj. Ai falenderoi të gjithë ata qytetarë të cilët i janë bashkuar nismave të ndërmarra nga Bashkia e Tiranës, si mbjellja e pemëve apo marrja e automjeteve elektrike, duke ndikuar pozitivisht në një mjedis më të shëndetshëm.

“Fakti që këtë sezon mbollëm mbi 100 mijë pemë, është diçka që meriton mirënjohjen tonë për 100 mijë qytetarët që dhuruan modestisht pemën e tyre. Për herë të parë kemi 3 flota taksish elektrike në Tiranë dhe fakti që shumë njerëz, edhe privatisht, po fillojnë t’i marrin makinat e tyre të reja elektrike, është diçka fantastike”, u shpreh Veliaj. Ai tha se është vetëm çështje kohe që nismat e ndërmarra nga Bashkia e Tiranës të ndiqen edhe nga qytetet e tjera të Shqipërisë.

Ndërkohë pak historik për këtë ditë.

Dita ndërkombëtare e mjedisit është caktuar 45 vjet më parë nga Asambleja e përgjithshme e OKB-së, me qëllim për të shtuar vetëdijen rreth çështjeve të mjedisit dhe për të tërhequr vëmendjen politike ndaj këtyre çështjeve si dhe për të nxitur veprimin individual në këtë drejtim.

5 qershori u caktua si Dita Botërore e Mjedisit në vitin 1972 , nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-s. U zgjodh kjo datë sepse përkon me ditën e hapjes e Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Mjedisin, që u mbajt në vitin 1972 në Stokholm, nën udhëheqjen e Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara.

Qëllimi i kësaj ngjarje është të nxisë aktivitete dhe aksione për të arritur ndryshime pozitive në mbrojtjen e mjedisit. Kjo ditë zakonisht përcillet me një tematikë të caktuar.

Në të kaluarën tema të kësaj ngjarje kanë qenë kujdesi për tokën dhe ujin, mbrojtja e shtresës së ozonit, ndryshimet klimatike dhe zhvillimi i qëndrueshëm duke pasur gjithnjë në fokus ruajtjen e shëndetit human.