Për ata që kishin zgjedhur të lëviznin në autostradën Tiranë-Durrës ditën e sotme, nuk ka qenë i lehtë kalimi në zonën e Vorës. Kjo, jo për shkak të ndonjë problemi trafiku apo bllokimi të këtij aksi, por për shkak të një pamje horror.
Në disa foto që po bëjnë xhiron e rrjetit, mund të shihen disa trupa njerëzish të mbuluar me thasë të bardhë e të varur në dy vinça përgjatë këtij aksi.
Qytetarë të ndryshëm kanë dërguar në disa media foto për të treguar ngjarjen tmerruese në Vorë, ndërkohë që telefonata janë regjistruar edhe në polici. Por ata që kanë informuar për ngjarjen, janë qetësuar kur Uniformat Blu kanë sqaruar se nuk ka asgjë reale, por kemi të bëjmë me një skenë filmi me produksion shqiptar.
Stafi që punon për filmin po zhvillonte skenën e radhës dhe Shqiptarja.com raporton se gjithçka që ka bërë grupi i xhirimit është kryer me leje të posaçme nga policia.
/GazetaShqip/