Skandali financiar i Juventusit!

Dosje e re rreth skandalit financiar të Juventusit. Prokuroria e Torinos ka kërkuar të hedhë akoma dhe më shumë dritë në tratativat e bardhezinjve për të fshehur të ardhurat.

Juventus dyshohet se nuk ka zbardhur detyrime të ndryshme financiare nga viti 2019 deri në 2021, duke fshehur kështu disa nga lëvizjet në merkato dhe akordin e pretenduar me lojtarët për të ulur pagat gjatë pandemisë së Covid-19.

Advertisement

Në dosjen e re do të grumbullohen fakte për të gjetur shkelësit në tratativat mes Juventusit dhe disa klubeve italiane. Pjesë e këtij skandali janë edhe ekipe si Cagliari, Udinese, Bologna, Atalanta, Sassuolo, Sampdoria dhe skuadra zvicerane e Sionit, të cilat dyshohet se kanë rënë dakord me torinezët për të mos zbuluar shifrat e sakta të merkatos së lojtarëve.

Në listën e fshehjes financiare janë 8 milionë euro borxhe për skuadrat italiane, respektivisht për Atalantën dhe Sassuolo. Nga ky manipulim, Juventus besohet se ka përfituar rreth 30 milionë euro, teksa rrezikon që pasojat të jenë të rënda. Momentalisht, torinezët po presin vendimin e 19 prillit, ku kanë ankimuar uljen e 15 pikëve në tabelën e renditjes. Në rast se diçka e tillë nuk pranohet, madje nëse klubi del me shkelje, kjo masë mund të rritet në zbritjen e 40 pikëve dhe rrezikon përjashtimin nga kompeticionet e UEFA-s për disa sezone.