’14 Maji’, KQZ ende nuk ka zyrtarizuar kandidatët!

Megjithëse afatet për dorëzimin e listave me kandidatët për kryetarë bashkie dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak tashmë kanë përfunduar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka dalë me një listë të zyrtarizuar.

E paqartë mbetet situata sa i përket emrave që do të garojnë më 14 Maj në këto zgjedhje vendore nga PD-ja e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj. Tashmë qartësisht dihet se cilët do të jenë kandidatët e PS-së. Edhe kandidatët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” janë bërë të njohur.

Advertisement

Gazetarja Klesiana Omeri raportoi se brenda kësaj jave kryekomisioneri Ilirjan Celibashi pritet që të zyrtarizojë kandidatët dhe po ashtu listat e këshillave bashkiake për partitë kryesore në vend.

“Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka zhvilluar disa mbledhje ku ka regjistruar listat e këshillave bashkiakë për disa parti të vogla. Ditën e sotme në orën 16:00 është parashikuar një tjetër mbledhje e cila do të ketë në axhendë miratimin e listave të Këshillave Bashkiakë të PS-së, PLL dhe PDIU. Nuk është përfshirë në këtë axhendë, qoftë miratimi i axhendës së kandidatëve qoftë për PS-në apo edhe për koalicionin Bashkë Fitojmë, apo PD-së së drejtuar nga Alibeaj. Nuk ka ende një datë se kur do të jetë kjo mbledhje, por pritet që brenda kësaj jave të zyrtarizohen të gjithë kandidatët dhe po ashtu listat e këshillave bashkiakë për partitë kryesore në vend. Me interes priten zhvillimet në PD-në e përfaqësuar nga Alibeaj në kushtet kur ende nuk dihet një numër i saktë i kandidatëve dhe në sa bashki ai do të hyjë me garues në zgjedhje”, tha Omeri./tvklan.al