Më shumë se 420 oficerë policie konkurruan pak ditë më parë për 130 pozicione vakante për gradën Komisar. Por, ditën e testimit më shkrim ka patur ankesa të shumta për dalje të tezës dhe manipulime që janë bërë. Mësohet se për këtë skandal është depozituar edhe një kallzim pranë Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave.
Disa oficerë që dëshirojnë të mbeten në kushtet e anonimatit thonë se disa prej konkurentëve plotësuan testin me shkrim dhe morën pikë maksimale, për një kohë që nuk ishte e mjaftueshme as për të lexuar pyetjet.
Sipas disa oficerëve që konkurruan, ditën e testimit edhe pajisja “skaltron” që korrigjon provimet elektronikisht, ka paraqitur probleme. Testimi është zhvilluar më datë 7 nëntor, ndërsa prej disa ditësh Top Channel po investigonte këtë çështje.
Vetëm paraditen e kësaj të marte me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, testimi është anuluar.
Ndërkohë, dje 230 oficerë të tjerë kanë konkurruar për gradën Kryekomisar. Edhe disa prej këtyre të fundit pretendojnë se gjatë testimit me shkrim janë shkelur procedurat standarte. Kandidatëve për kryekomisar u janë paraqitur pyetje me shtjellim që përmbanin 60 pikë nga 100 total dhe sipas tyre ky vlerësim mbetet subjektiv dhe duhet të kryhej në fazën e testimit psikologjik.
Gradat e karrierës në polici kanë qenë gjithmonë të përfolura dhe kontestuara për shkak të mbështetjes së disa individëve nga pushteti dhe lidhjet politike.
Shumë oficerë të tjerë zgjedhin ta marrin gradën me vendim gjykate, në kushtet kur nuk i ofrohet konkurrimi në bazë të meritës./Gazeta Shqip