Gjykata e Apelit në Colmar të Francës ka vendosur që ta shtyjë për në 2 mars, vendimin për rastin e Ramush Haradinajt.
Sot u zhvillua seanca ku u shqyrtuar kërkesa e Serbisë për ekstradim të Haradinajt.
Siç thuhet në shpjegimin e Gjykatës vendimi do të merret më 2 mars.
Në pyetjen e gjyqtarit nëse pranon të ekstradohet në Serbi, ish-komandanti i UÇK-së është përgjigjur negativisht duke thënë se i gjithë ky proces është i natyrës politike.
Pas përfundimit të seancës gjyqësore e cila u mbajt sot në Colmar të Francës, lideri i AAK-së ka dhënë një deklaratë për media me anë të së cilës ka treguar se vendimi për të është shtyrë më 2 mars. “Gjykata s’ka marr vendim sot por ka thënë se vendimin do ta japë më 2 mars. Po shpresojmë që ta jap më herët sepse është shumë gjatë. Është humbur shumë kohë me kërkimin e ekstradimit që është i pabazuar”, tha Haradinaj.
Gjithashtu Haradinaj shtoi se kjo nuk është diçka e re nga ana e Serbisë.
“Nuk është diçka e re, kryeministri serb Aleksandar Vuçiç ka qenë ndihmës i Sheshelit dhe kanë udhëhequr formacione paramilitare dhe e kanë pasur ushtri, presidenti Tomislav Nikoliç gjithashtu ka udhëhequr formacione paramilitare dhe Ivica Daçiç ka qenë një asistues i Millosheviçit. Atyre nuk u interesojnë viktimat apo ligji, por abuzojnë me të gjitha përparësitë që kanë duke qenë anëtarë të Interpool-it, për të ndaluar apo për të penguar Kosovën. Përgjigjen e kanë, e kanë marrë në 1998-1999 dhe do ta kenë gjithnjëë”, tha Haradinaj.
Gjykata e Apelit sot ka mbajtur seancën për ta shqyrtuar kërkesën e Serbisë për ekstradimin e Haradinajt.
Lideri i AAK-së është arrestuar më 4 janar në aeroportin e Baselit në bazë të një fletarresti të Serbisë.
Kreu i AAK-së, aktualisht ndodhet në Francë, në lirim me kusht, mbi bazën e një procesi që po zhvillohet ndaj tij nga autoritetet franceze, bazuar në një urdhër-arrest të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit. Haradinaj u ndalua nga autoritetet franceze në 4 janar, në aeroportin e Bazelit.