Aktorja me origjinë shqiptare, Eliza Dushku, ka treguar se është ngacmuar seksualisht në moshën 12-vjeçare nga një prej koordinatorëve të dublantëve më të suksesshëm të Hollivudit.

Me anë të një postimi të gjatë në Facebook, Dushku thotë se ngacmimi ka ndodhur 25 vite më parë, gjatë xhirimeve të “True Lies” dhe bëhet fjalë për Joel Kramer.

Advertisement

“Ia tregova prindërve dhe vëllait. Askush nuk dinte si të përballej me këtë subjekt tabu në atë kohë. As unë. Jam mirënjohëse ndaj femrave që janë rrëfyer përpara meje këto muajt e fundit. Ato më dhanë forcën edhe mua për t’u rrëfyer”, shkruan Dushku, para se të tregojë me detaje ngacmimin nga Kramer.

“E mbaj mend si më mori në dhomën e tij të hotelit në Majemi, duke i thënë prindërve se do më merrte për të notuar te pishina e stafit të filmit. Pasi hëngrëm sushi, nisi të ulte dritat, uli temperaturën e dhomës, vuri një film dhe u “zhduk” në tualet. Prej andej doli krejtësisht i zhveshur. Mbaj mend si u shtri mbi mua, si nisi të fërkohej dhe fjalët që më tha: “Mos bëj sikur po fle”. Kur “mbaroi”, më tha që nuk duhet t’i thonim njeriu për këtë. Unë isha 12, ai 36”, lexohet në rrëfimin shokues të Eliza Dushkut.

Aktorja shton se mori guximin për këtë rrëfim pasi pa një foto të Joel Kramer duke përqafuar një vajzë të re dhe pasi mësoi se ai vazhdon të punojë në Hollivud.