Serbi – Kërkohet ekstradimi i menjëhershëm i Cekut

Ministrja e Drejtësisë, Snezhana Maloviq ka deklaruar se pret që autoritetet bullgare në një kohë sa më të shkurtër t’i përgjigjen kërkesës së Beogradit. Ndërkohë, zëvendësministri i Jashtëm i Bullgarisë, Lubomir Kucukov ka bërë të ditur se Bullgaria po vepron sipas procedurave në përputhje me detyrimet karshi Interpolit dhe se po vazhdon të mbajë kontakte me autoritetet në Prishtinë. “Sot presim dokumentet mbi bazën e të cilave është bërë kërkesa e Interpolit. Dokumentet nga ana e qeverisë së Serbisë do të prezantohen në Gjykatën Supreme të Apelit dhe në përputhje me të ne do të zbatojmë ligjin”, ka pohuar Kucukov. Qeveria serbe e kërkon ekstradimin e Cekut për shkak të akuzave të ngritura në Gjykatën e Qarkut në Nish, për gjenocid dhe për vrasjen e 669 serbëve në Kosovë në vitin 1999.