Pas lindjes së vajzës, këngëtarja shumë e dashur për të gjithë, Miriam Cani i ka munguar ekranit dhe skenës shqiptare.

U bënë rreth dy vite që ajo ka zgjedhur t’i përkushtohet me kohë të plotë vogëlushes së saj, Amelis. Gjatë kësaj kohe ka qënë bashkëshorti i saj, Alban Skënderaj që ka qenë mjaft aktiv, duke punuar sa për dy në familje. Por, mesa duket tani ka ardhur momenti që Miriami të rikthehet në skenë fuqishëm. Dje këngëtarja ka bërë daljen e saj të parë publike, duke u shfaqur tek “Rudina”.

Advertisement

Në bashkëbisedim me Rudina Magjistarin këngëtarja është emocionuar dhe përlotur në studio në momentin që moderatorja e ka pyetur për humbjen e nënës, të cilën e konsideron një shembull që e ndjekë çdo ditë në edukimin e vogëlushes së saj.

“Çdo nënë është një shembull për t’u ndjekur. Po, ne ngjajmë shumë. Ajo i dedikonte gjithë jetën e saj familjes. Unë jam miks i të dyve, mamit dhe babit. Këtij të fundit i ngjaj në karakter dhe iniciativë pasi mami ishte më e përkushtuar ndaj familjes“,- është shprehur Miriami e përlotur duke shtuar se në jetë asaj i është dashur të mbijetojë edhe me dhimbjen e humbjes së parakohshme të nënës së saj.

Miriami ka premtuar se së shpejti do të sjellë edhe projekte muzikore, pasi pas ardhjes në jetë të Amelit ajo është frymëzuar për të bërë muzikë të mirë.

Për mardhënien me Albanin Miriami tha se konsultohen për çdo projekt me njeri-tjetrin. “Unë dhe Albani kemi mbi 10 vite bashkë. Për çdo projekt ne konsultohemi me njëri-tjetrin. Pas çdo projekti timin di që qëndroj unë dhe në fund të ditës mbetem vetvetja. Unë nuk bëj kompromis për sukses”, tha këngëtarja.