Rama: “40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë për të dytin, 120 mijë për të tretin”

Kryeministri Rama së bashku me ministren e Shëndetësisë dhe të Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirlliu në një konferencë për mediat, folën mbi risitë në buxhetin e vitit 2019.

“Reformat shtetbërëse patjetër që kanë dhimbjet dhe sakrificat e tyre. E vërteta është se njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, që në krye të herës kanë qenë të vetëdijshëm për rëndësinë e këtyre reformave, dhe pamundësinë për të vijuar në kaosin e rrëmujën e situatës ku ishin. Pas vendosjes të disa bazave të domosdoshme për të ardhmen e vendit, njerëzit kanë nevojën të shohin disa fryte, disa arritje. Është e rëndësishme të mos harrojmë nga u nisëm, dhe kontekstin në të cilin veprojmë. Është e sigurtë që në fund të ditës njerëzit kërkojnë të shohin rezultatet.

Advertisement

Më vjen mirë që kemi qenë në gjendje të bëjmë një ekuilibër mes shtrëngimeve të nevojshme dhe lëshimeve. Vetëm me heqjen e taksës së sheshtë dhe vendosjes së taksimit të ndershëm, bëmë që 570 mln dollarë të mos shkojnë në arkën e shtetit, por të mbeten në xhepat e qytetarëve.

Sot jemi këtu për të folur lidhur me një politikë të re që duam të lancojmë. Jemi gati, sepse kemi bërë reforma, kemi vendosur rregulla në financat e shtetit, dhe kemi mundësinë të bëjmë diçka që e kishim të pamundur disa vite më parë. Në buxhetin e 2019 do të kemi disa të reja, në kuadër të reformave që do të shkojnë në favor të njerëzve, do të kemi rritje pagash në arsim, shëndetësi, ushtri. Do të kemi lehtësime të rëndësishme taksash, kryesorja lehtësimi i taksave për një pjesë të konsiderueshme dhe shumë aktive të biznesit, që nuk do të konsiderohet më biznes i madh deri në 140 mijë dollarë xhiro në vit.

Më e bukura është ajo që do bëjmë për fëmijët e sapolindur. Në vitet 2000 unë pata lançuar si kryetar i bashkisë së Tiranës, çekun e bebes, 50 mijë lekë të vjetra, dhe mbeti aq sa ishte për shumë vite, madje mbeti një problem, dhe në malin e borxheve të mbetura ne kishim edhe një borxh prej 5 milion dollarësh për bebet që nuk e kishin marrë. Borxh që e shlyem. Asgjë më nuk ka ndryshuar në këtë politikë, që sot kthehet në rendin e ditës me një shumëfishim nga 1 janari 2019. Çdo çift do të marrë 400 mijë lekë për fëmijën e parë, 800 mijë fëmija i dytë, dhe fëmija i tretë 1 milion e 200 mijë lekë.”, u shpreh kryeminstri.

Sipas një raporti të INSTAT, publikuar në fillim të 2018-s, popullsia e vendit është në rënie si pasojë e lindjeve të pakëta dhe emigrimit. Gjithashtu, numri i të rinjve është në rënie, teksa të moshuarit po shtohen. Një popullsi në rënie dhe në plakje, nuk është shenjë e mirë për ekonominë dhe me skemën e shpërblimeve, Rama shpreson të ndryshojë diçka.