Partia Socialiste, përmes deputetes Olta Xhaçka, deklaroi të hënën se zhvillimi i munguar i turizmit në Tiranë është dështimi i radhës i kryebashkiakut Lulzim Basha.
“Krijimi i Rrjetit të Destinacioneve të Integruara Turistike të zonës së Tiranës ishte një nga premtimet e bujshme të Bashës, të cilin ai nuk e mbajti dhe që i ka kushtuar jo pak bizneseve e qytetarëve të kryeqytetit në të ardhura dhe në zhvillim të munguar”, deklaroi deputetja Xhaçka.
Nisur nga pasuritë natyrore dhe trashëgimia historike që e rrethon, Tirana, tha ajo, duhet të kishte një sektor të zhvilluar turizmi, por në fakt sot nuk mund të krahasohet për nga numri i turistëve as me qytete të vogla, por që kanë pasur fatin të drejtohen nga kryebashkiakë që dinë të punojnë.
Sipas Xhaçkës, bashkia Tiranë ka arritur të kryejë vetëm 4.9% të investimeve në kulturë dhe turizëm për vitin 2013. “Tirana humbi plot 4 vjet me Lulzim Bashën, por më 21 qershor, qytetarët do t’i japin fund me votë kësaj epoke dështimesh”, tha përfaqësuesja e PS-së, në deklaratën e sotme për shtyp.