Prokuroria i komunikon Mark Frrokut akuzën për “kallëzim të rremë”

Deputetit Mark Frroku iu komunikua në spitalin e burgut ku po trajtohet, akuza e “kallëzimit të rremë”, sikurse edhe deputetit Tom Doshi, me argumentin se kanë përgatitur videon me Durim Bamin për të nxitur prokurorinë që të niste hetimet për një komplot të mundshëm kundër deputetit Doshi.
Avokatët e Frrokut e komentuan si të pabazuar këtë akuzë: “Akuza nuk qëndron, vetë organi i akuzës thotë që nuk ka skenar vrasjeje”.
Ndërkohë, brenda të njëjtës ditë, deputeti shkodran Tom Doshi respektoi vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila ndryshoi masën e sigurisë nga “arrest me burg” në “detyrim paraqitjeje”.
Deputeti Doshi u paraqit në shoqërinë e dy avokatëve të tij, ndërsa qëndroi për gati një orë e gjysmë në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme.
Të dy deputetët u deklaruan si të dyshuar për tre vepra, por prokuroria i rrëzoi akuzat e “deklarimit të rremë” dhe “kanosjes së dëshmitarit”, duke mbajtur vetëm njërën kundër tyre, atë të “kallëzimit të rremë”.

Advertisement