Protesta për tarifën në Rrugën e Kombit, bllokohen akset kryesore të Shqipërisë

Ashtu siç ishte paralajmëruar, opozita ka nisur protestat ditën e sotme, duke bllokuar qarkullimin për veriun në Milot, Tiranën në Vorë, juglindjen në Bradashesh të Elbasanit dhe jugun në Lushnje.

Në Vorë ka ndodhur edhe grumbullimi i parë i qytetarëve, të cilët kanë bllokuar rrugën, ku i parnishëm është edhe kreu i PD, Lulzim Basha, i cili është i shoqëruar nga bashkëshortja.

Po ashtu, është bllokuar rruga edhe në Çermë të Lushnjes. Një tjetër protestë zhvillohet edhe në Milot, ku ka një prezencë të shtuar të policisë, kryesisht asaj rrugore, por edhe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë.

Një tjetër bllokim që pritet të sjellë probleme të shumta në qarkullimin e automjeteve në Bradashesh të Elbasanit, i cili është një pikë lidhëse për të gjithë zonën juglindore, por edhe me Maqedoninë dhe Greqinë. Në Elbasan është e pranishme kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi. Përveçse kanë bllokuar rrugën në rrethrrotullimin e Bradasheshit, protestuesit kanë hedhur tymuese dhe kanë djegur goma.

Lulzim Basha foli nga Vora ku i është bashkuar qytetarëve në protestë duke bllokuar 4 akset kombëtare dhe tha se opozita do të jetë në krah të qytetarëve dhe kundër regjimit privat kriminal.

Nga ana tjetër, Kryeministri Rama tha nga Kuvendi se nuk do të fillojë sistemin e pagesës pa pasur zgjidhjen më të mirë të mundshme për atë zonë. Ai gjithashtu ka pranuar se duhej bërë konsulta me qytetarët para vendosjes së pagesës. Por Rama tha se kjo ka qenë risi dhe është nisur nga praktikat ndërkombëtare, dhe kjo ka qenë arsyeja pse ai nuk ka kryer informim më herët.

Protesta e opozitës së bashkuar pritet të zgjasë deri në orën 13:00.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -