Koorporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) bëri të ditur të hënën, se moti me reshje bore që ka përfshirë vendin tonë ditët e fundit, ka rritur ndjeshëm rezervën energjetike në kaskadën e Drinit. 

Ndërkohë që prodhimi energjisë gjatë javës së fundit është rritur me 2 milion kilovat/orë në ditë.

Advertisement

Sipas KESH-it, prodhimi ditor i energjisë nga hidrocentralet e Drinit arrin në 18,7 milionë kilovat/orë. Ndërsa nevojat e vendit janë rreth 23-24 milionë kilovat/orë dhe përballohen nga prodhimet e hidrocentraleve të vegjël dhe importet.

KESH parashikon se me shkrirjen e dëborës në pranverë, pritet të rriten edhe më tej prurjet hidrike në HEC-e. 

Të dhënat zyrtare të KESH bëjnë të ditur se, në vitin 2016 u prodhua 7.3 miliardë kilovat orë energji elektrike dhe u eksportua rreth 700 milionë kilovat ore energji në vendet e tjera, pasi bilanci energjetik i vendit u  përmirësua ndjeshëm falë rritjes së prodhimit të brendshëm, por edhe uljes së vjedhjeve të energjisë.

Ky është niveli më i lartë i prodhimit që nga viti 2010, i cili jo vetëm përballoi plotësisht konsumin vendas, por edhe i ka lejuar korporatës të eksportojë 700 milionë kilovat orë energji.

Rikthimi i vendit në bilanc pozitiv energjetik, përveç kushteve të favorshme hidrike  është rezultat edhe i dy faktorëve të tjerë; rritjes së prodhimit nga hidrocentralet private dhe uljes së humbjeve të energjisë.
Vitin e kaluar, HEC-et private prodhuan sasinë rekord prej 2.2 miliardë kilovat orë energji elektrike duke dhënë 30 për qind të prodhimit total vendas.

Por veç rritjes së prodhimit, bilanci energjetik ka përfituar edhe nga përmirësimi i administrimit në operatorin e shpërndarjes. Sipas shifrave, vetëm nga ulja e humbjeve, Shqipëria kursen 1.1 miliardë kilovat orë energji në vit krahasuar me tre vjet më parë.

Ky rezultat, përveçse ka përmirësuar treguesit financiar të OSHEE, ndikon drejtpërdrejtë edhe bilancin energjetik të vendit, duke e rikthyer Shqipërinë në eksportuese neto të energjisë elektrike.