Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri ka reaguar pas një artikulli të së përditshmes italiane La Repubblica të Barit me titull “Terrorizmi, flamujt e ISIS-it në fshatrat e Shqipërisë. Fuçi baruti për Puglia-n”.

Përmes një letre drejtuar pikërisht Drejtorit përgjegjës Ezio Mauro, ministri kërkon përgënjeshtrim dhe që artikuj të tillë të mos publikohen pa kërkuar informacion zyrtar të autoriteteve të shtetit shqiptar.

Sidomos kur dizinformimi nxit mosbesimin mes partnerëve në luftën e përbashkët kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Tahiri tërheq vëmendjen për artikullin, i cili njëkohësisht shpreh shqetësim të kuptueshëm dhe të mirëkuptuar ndaj një rreziku të përbashkët si terrorizmi, por jep gjithashtu një lajm spekulativ, bazuar në të pavërteta flagrante, deformime dhe akoma më keq, gënjeshtra, pa verifikuar burimet e informacionit.

“Për fat të keq, kjo nuk është hera e parë që ndodh, duke cenuar imazhin e Shqipërisë në sytë e lexuesit tuaj, por shpresoj shumë të jetë e fundit”, shprehet në letrën e tij ministri.

Tahiri vlerëson rolin e medias në informimin publik, por sqaron se do kishte qenë profesionale dhe raportim i të vërtetës nëse përpara publikimit gazetarët të kontaktonin autoritetet zyrtare shtetërore të Shqipërisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Shtetit, të cilat japin pa asnjë pengesë çdo të dhënë në lidhje me problemin e “foreign fighters” apo “celulave” që mund të kenë lidhje me të ashtuquajturin ISIS.

“Nga Republika e Shqipërisë, gjatë dy viteve 2015 dhe 2016 nuk ka pasur asnjë shtetas shqiptar që të jetë larguar për në vendet e konflikteve fetare në Siri apo gjetkë, në cilësinë e “foreign fighter”. Pra Shqipëria është ndoshta i vetmi vend që ka arritur të çojë në zero numrin e shtetasve që largohen si “luftëtarë të huaj”, saktëson ministri.

Duke përmendur masat që kanë çuar në arritjen e këtij rezultati, Tahiri rendit jo vetëm ndryshimet ligjore (në Kodin Penal) dhe organizative në parandalimin, bllokimin dhe luftën ndaj çdo fenomeni lidhur direkt apo indirekt me terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm. Por dhe një detaj interesant: që Shqipëria ka sot njësinë Antiterror më të madhe krahasuar me çdo vend të Ballkanit, e për numër popullsie krahasuar më të madh se dhe vetë Italia.

“Kjo është një strukturë e mirëpajisur dhe e specializuar kundër këtyre fenomeneve, falë edhe ndihmës së partnerëve tanë ndërkombëtarë, ku Italia është ndër vendet kryesore” vlerëson ministri vendin fqinj.

“Kemi nënshkruar me vendet fqinje ashtu si dhe me Italinë, protokolle bashkëpunimi policor për shkëmbimin e menjëhershëm të informacioneve që kanë të bëjnë me krimin e në këtë kuadër dhe me terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm. Ndërkohë, kemi pasur rezultate konkrete nga hetimet, duke arrestuar dhe dënuar rrjetet që merreshin me rekrutimin e “foreign fighters”.

Disa hetime shumë të rëndësishme janë zhvilluar edhe në nivel bilateral me Italinë, me rezultate konkrete në të dyja anët e kufirit. Ndërkohë, besoj është shumë e tepërt t’u sqaroj se në vendin tonë, nuk ka asnjë fshat ku “ngrihet” flamuri i ISIS, kësisoj asnjë rrezik i shtuar nuk i vjen Italisë, përveç rrezikut të përbashkët, nga i njëjti armik i përbashkët, terrorizmi. Është kjo arsyeja që ju shpreh keqardhjen për shkrime të tilla që jo vetëm nuk i përputhen të vërtetës, por shtojnë premisa për më shumë mosbesim”, mbyll letrën e tij ministri i Brendshëm Tahiri.