Intervista e Meghan Markle i dha më shumë bujë asaj çfarë diskutohej nëpër rrjete sociale sa herë qarkullonin foto të mbretërorëve pranë komuniteteve që janë pjesë e Mbretërisë së Bashkuar. Me fjalë të tjera, nuk ishte hera e parë që diskutohej për racizmin.
Fotoja në vijim – ku duket princi William dhe Kate Middlton teksa mbahen në fron nga një grup njerëzish në ishullin Tuvalu, pjesë e Commonwealth-it – është kritikuar jo pak. Në fakt, duhet theksuar se kjo ceremoni është një traditë e vendasve për të mirëpritur të ftuarit. Pra, nuk është vendim i William ose Kate për t’u transportuar në këtë formë. Megjithatë, kjo nuk e hedh poshtë diskutimin për qasjen ndaj racizmit.
Rachel Boyle, një shefe e studimeve ndërdisiplinore në Leeds Beckett University, e cila hulumton racizmin dhe etninë, trajtoi dukurinë e racizmit brenda mbretërisë si institucion.
“Institucioni i monarkisë daton shekuj më parë dhe ne nuk mund të injorojmë lidhjet e familjes mbretërore me racizmin historik dhe në të vërtetë, skllavërinë. Monarkë të panumërt britanikë kanë luajtur një rol kryesor në krijimin e një shoqërie që ka justifikuar epërsinë e të bardhëve dhe pabarazinë racore.” – shkruan ajo në një artikull për Guardian.
Boyle nxjer në pah tregtinë dhe shfrytëzimin e skllevërve.
“Në vitet 1770, kur qeveria për herë të parë duhej të kapërcente dilemën e qeverisjes së një territori me “vendas”, racizmi u vendos fort në Britani, i mbështetur dhe i përforcuar nga roli kryesor i kombit në tregtinë transatlantike të skllevërve. Kjo tregti ishte themeluar gjatë sundimit të Elizabetës I dhe do të vazhdonte të adoptohej nga James I dhe Charles I.
Tregtia britanike e skllevërve përfundoi në 1807 dhe skllavëria në 1833. Sidoqoftë, racizmi nuk do të mbaronte me shfuqizimin. Racizmi u bë shërbëtor i perandorisë. Mitologjia e racës dhe epërsia e të bardhës, do të bëheshin një përbërës kryesor në krijimin e imperializmit britanik. Dhe ky model historik i fanatizmit dhe paragjykimeve ende përshkon shoqërinë britanike sot.”
I pyetur për racizmin fill pas deklaratës së Meghan Markle, princ William, gjatë një vizite në një shkollë në Londër, tha se “familja mbretërore nuk është raciste”. Por Rachel Boyle mendon ndryshe:
“Që të ndodhë një dialog kuptimplotë rreth racizmit, duhet të largohet tradita e mosdhënies së intervistave dhe të flitet për të. Duhet parë që të shpërbëhen në mënyrë aktive strukturat e racizmit me një angazhim më të mirëfilltë dhe të vazhdueshëm me komunitete të ndryshme. Nëse Britania do të ketë ndonjëherë një monarki vërtet jo-raciste, anëtarët individualë të familjes duhet të përballen me të kaluarën e tyre dhe të pranojnë se është një përbërës integrues i atyre që janë. Është koha që ata të identifikojnë racizmin si një konstrukt të turpshëm. Ata duhet ta pranojnë qartë se është një tipar i shoqërisë britanike që përfaqësojnë.”
Përsa i përket ndryshimit drejt një shoqërie jo-raciste, ajo thekson se hapi i parë është “të pranojnë ekzistencën e racizmit brenda familjes së tyre dhe të identifikojnë racizmin në komentet e bëra për Dukën dhe Dukeshën e Sussex. Vetëm atëherë ata mund të fillojnë të thonë se monarkia është drejt një rruge për t’u bërë me të vërtetë një monarki jo-raciste”.