Policia Rrugore e Tiranës planifikon që të aplikojë gjobat për këmbësorët që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit. Kjo do të kalojë në dy faza. E para do të jetë fazë këshilluese për këmbësorët, e më pas do të fillojnë të aplikohen masat administrative.
“Nisur nga analizimi i rasteve të fundit të aksidenteve, rezulton se kemi një shtim të shkeljes së rregullave të qarkullimit nga këmbësorët. Pas një periudhe të caktuar sensibilizuese e ndërgjegjësuese, Policia Rrugore do aplikojë edhe masat administrative për qytetarët që nuk zbatojnë rregullat e Qarkullimit Rrugor”, thuhet në njoftimin e Policisë Rrugore të Tiranës.
Plani i ri rrugor përfshin edhe masa të reja për të shmangur aksidentet dhe rritjen e sigurisë rrugore. Kështu, janë ripërcaktuar disa masa për drejtuesit e automjeteve, që janë:
-Planimetria e vendosjes së shërbimeve.
-Mënyra e kombinimit të radarëve në akset rrugore të brendshme por edhe në akset nacionale që lidhen me Tiranën me qëllim evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që qarkullojnë me shpejtësi tej normave të lejuara.
-Koordinimi i shërbimeve me Patrullat e Përgjithshme dhe Shqiponjat duke evidentuar dhe ndëshkuar në kohë, në çdo aks rrugor shkelësit e Kodit Rrugor.
-Kontrolli në mënyrë të pandërprerë me aparatin “Drager” për parandalimin e përdorimit të alkoolit gjatë drejtimit të mjetit.