Pasoja katastrofike lanë pas përmbytjet e dy ditëve më parë, që autoritetet italiane i krahasojnë me pasojat e një tërmeti të fuqishëm. Krahas 9 të vdekurve, mijëra të evakuuarve dhe më shumë se 27 mijë banorëve që mbeten ende pa energji elektrike në Emilia Romanjan e gjunjëzuar nga katastrofa, kostot e dëmeve janë të mëdha. Autoritetet i përllogarisin në disa miliardë euro.
Përmbytjet goditën 37 qyteza dhe vendbanime, ku u regjistruan të paktën 120 rrëshqitje të tokës. Të përmbytura janë mijëra hektarë tokë bujqësore.
Zyrtarët e Ministrisë për Emergjencat thanë se brenda 36 orëve ranë 500 milimetra shi. Kjo është gjysma e sasisë që bie gjithë vitin në rajonin e Emilia Romanjës dhe e gjitha kjo katastrofë konsiderohet pasojë e ndryshimeve klimatike të nxitura nga ngrohja globale./tvklan