SPAK kërkon 10 vjet burg për Lefter Kokën.

Prokuroria e Posaçme i kërkoi Gjykatës të shpallë fajtor ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, dhe ta dënojë atë me 10 vjet burgim, si njeriu kryesor në aferën korruptive të inceneratorit të Elbasanit, në të cilën dyshohet se përfitoi 308 milionë Lekë ryshfet.

SPAK thotë se ish-ministri ka shpërdoruar detyrën. Është përfshirë në korrupsion për dhënien e koncesionit të inceneratorit dhe më pas, nëpërmjet një skeme me fatura fiktive, mori ryshfetin dhe pastroi para.

Advertisement

Ashtu si në të gjitha seancat e mëparshme, Koka nuk ishte i pranishëm për të dëgjuar akuzat.

Bashkë me Kokën, SPAK kërkoi gjithashtu dënimin e 3 biznesmenëve që qëndronin pas kompanive të cilat morën në dorë ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit. Për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave, prokuroria kërkoi 10 vjet burg për Mirel Mërtirin e Klodian Zoton, si dhe 7 vjet për Stela Gugallen.

Mërtiri dhe Gugallja ndodhen në Austri ku janë në proces ekstradimi, teksa Zoto nuk është lokalizuar ende nga autoritetet.

Nga 4 vjet burg kërkoi Prokuroria për ish-deputetin Alqi Bllako dhe 4 ish-zyrtarë të tjerë, me akuzën se kanë shpërdoruar detyrën. Bllako tha SPAK, ka mbajtur kontakte me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton gjatë procedurave të koncesionit.

Për të gjithë zyrtarët gjithashtu u kërkuan përjashtimi për 5 vite nga postet publike, teksa të gjithë të pandehurit do të përfitojnë ulje të dënimit nëse shpallen fajtor sipas kërkesës së SPAK.

Kjo e fundit gjithashtu u tha Gjykatës të konfiskojë 6 kompani, 80% të aksioneve të kantinës së pijeve në pronësi të Kokës, si dhe 8 apartamente, 3 njësi dhe 1 tokë truall, si të krijuara nga pasuri të paligjshme.