Shtëpitë dhe bizneset e ndodhura pranë brigjeve të Senës në Paris, janë në alarm prej rritjes së nivelit të lumit të famshëm, që kërcënon të dalë nga shtrati. 

Katet përdhese të disa godinave në kryeqytetin francez janë mbuluar tashmë nga uji, pas reshjeve të dendura të shiut, por situata rrezikon përkeqësimin e mëtejshëm gjatë fundjavës, kur Sena, nga sa pohojnë meteorologët, do të fryhet edhe më shumë. Rrugë të tëra të rajonit janë nën ujë dhe lëvizja e varkave, përfshirë ato që transportojnë turistët, për momentin është ndërprerë.

Advertisement

Niveli i Senës pritet të mbërrijë në 6 metra, që do të thotë të paktën 4 metra mbi normalen. Statuja e ushtarit nga Krimea, e njohur si Zouave, është kthyer në pikë referuese për të treguar sesa shumë ujë ka vërshuar në qytet, pa mbërritur sidoqoftë nivelin e përmbytjeve të 1910-ës, kur uji shkonte deri në fyt dhe e mbuloi Parisin për dy muaj.

Pasojat e kësaj situate i ka ndjerë edhe muzeu i Luvrit, drejtuesit e të cilit u detyruan të mbyllnin Galerinë e Arteve islamike, e cila ndodhet në një nivel më të ulët se të tjerat. Në periferinë Villeneuve-Saint-Georges, përmbytjet i kanë shtyrë njerëzit të lëvizin në rrugë me varka gome.

Uji është bërë shkak edhe për një tjetër lëvizje masive rezidentësh të qytetit: popullatën e minjve. Brejtësit, siç raporton France 24, kanë dalë nga gjirizet duke e bërë praninë e tyre të pakëndshme shumë më të qartë se zakonisht.