Plakja e popullsisë me ritme të shpejta dhe largimi i të rinjve po thellon gjithnjë e më shumë skemën e pensioneve. Të dhënat e Institutit të Sigurimeve Shoqërore tregojnë se pensionistët po rriten më shpejt në numër sesa kontribuesit. Brenda 5 viteve, numri i pensionistëve është shtuar gati 2 herë më shumë sesa kontribuesit në skemën e sigurimeve shoqërore.
Vetëm në vitin 2022, numri i pensionistëve u shtua me 13 mijë, ndërsa i kontribuesve me rreth 10 mijë, duke bërë që skema të mbyllet me një deficit prej 21.3 miliardë lekësh.
Eduart Gjokutaj, ekspert ekonomie: Natyrshëm kjo krijon një deficit për buxhetin e shtetit, i cili me kalimin e viteve ka filluar të ndihet shumë.
Eksperti i Ekonomisë, Eduart Gjokutaj thotë se kombinimi i pensioneve publike dhe private mund të ndihmojë në uljen e këtij deficiti.
“Ajo që mund të sugjerohet si zgjidhje apo rrugëdalje, është projektligji i ri për fondet e pensionit privat. Shërben si një mjet financimi për qeverinë në momente të caktuara, sepse janë fonde të grumbulluara dhe mund t’i rikthehen ekonomisë.”
Parashikimet tregojnë se numri i kontribuesve do të rritet, por hendeku i krijuar vështirë të rikuperohet.
“Presupozohet që të rritet numri i kontribuesve, por diferenca është kaq e madhe e krijuar ndër vite, ka shumë problematike sa nuk do arrijë dot asnjëherë që të shkojë në atë nivel sa të jetë e pranueshme per përmbushjen e pensionit në raport me pagën që ka marrë përfituesi.”
Në Shqipëri, për çdo 1 pensionist ka 1.17 kontribues.