Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani dënon largimin e Policisë së Shtetit nga detyra dhe arsyeja kryesore e ekzistencës së saj, që është rendi dhe siguria publike.
“Ngjarjet e rënda sot, me 3 viktima në Tiranë dhe me të plagosur në Durrës, po dhe ngjarjet e rënda dje, e cdo ditë, po dëshmojnë se rendi dhe siguria vazhdojnë të jenë në gjëndje kritike në Shqipëri dhe pasiguria për qytetarët po rritet cdo ditë.” u shpreh Ristani. “Partia Demokratike është e shqetësuar për përkeqësimin e situatës së rendit dhe sigurisë, gjë që vjen drejpërdrejtë si pasojë e shfokusimit të policisë nga detyra e saj kryesore, dhe përqendrimi tek porositë, urdhërat dhe aksionet propagandistike të Edi Ramës. Kjo situatë skandaloze dhe e papranueshme e rendit dhe e sigurisë është përgjegjësi e Edi Ramës, i cili e ka vërsulur policinë ndaj qytetarëve të pamundur, ndaj familjarëve të varfër që s’kanë me se të paguajnë energjinë, ndaj të moshuarve, shpesh dhe ndaj grave e të miturëve, duke braktisur arsyen kryesore pse ekziston kjo strukturë dhe pse mbahet nga taksat e publikut, dhe arsyeja kryesore është rendi dhe siguria publike. Partia Demokratike kërkon me vendosmëri që Policia e Shtetit të rikthehet në rolin e saj kushtetues, e të refuzojë përdorimin politik.”