“Pa zë! Pa jetë! Unë jam Xhisiela”, sot në protestë para kryeministrisë

Rasti më shokues i ditëve të fundit ka qenë ai i Xhisiela Malokut.

Ish-partneri i saj, i cili është djali i deputetit të Krujës, Rexhep Rrahja akuzohet se ka dhunuar 25-vjeçaren dhe deri më tani qarkullonte i lirë dhe thuhej se shkak për këtë është mbështetja e organeve shtetërore.

Në dëshminë e saj Xhisiela tregoi se është njohur me djalin e deputetit në vitin 2012, dhe ka qenë e lidhur me të deri në vitin 2017. Ajo rrëfeu se konfliktet me ish të dashurin e saj, djalin e deputetit të PS, i kanë ardhur pas ndarjes.

Ajo tregoi se më 19.07.2018 është takuar me Rexhep Rrajën, dhe pas një debati me tone të ashpra në makinën e tij, nën kërcënimin e armës e ka dërguar në një hotel. Në dhomë ajo tregon se është dhunuar nga djali i ish deputetit, është djegur me cigare në këmbë prej tij dhe është goditur në kokë më qytën e pistoletës. Si pasojë e dhunës së ushtruar vajza thotë se ka humbur ndjenjat dhe nuk kujton më gjë.

Thirrjet kanë qenë të forta nga gratë deputete, të cilat një ditë më parë u mblodhën përpara kryeministrisë ku u shprehën se: “Kjo ka të bëjë me të gjithë shoqërinë, sepse dhuna ka kaluar çdo kufij. Rasti i Xhisielës ka kaluar çdo kufij. Kjo tregon se ka rënë çdo institucion si policia , gjykata, ministria e Drejtësisë. Nëse ne nuk do të arrijmë të ngrejë zërin, situata do të vështirësoghet. Protesta është organizuar nga shoqëria civile. Të hënën në 17: 30 të mblidhemi të gjithë bashkë për të protestuar. Sot të gjithë jemi këtu, pjesëmarrëse të të gjitha forumeve të grave dhe unë i falënderoj që sot janë bashkuar me ne”.

Pas reagimeve nëpër rrjete sociale, sot në orën 17:30 para kryeministrisë do të protestohet për 25-vjeçaren. Përveç deputetëve të partive të ndryshme, në protestë do të jenë edhe studentë të thjeshtë dhe intelektualë.

“Pa zë! Pa jetë! Unë jam Xhisiela!” – ky është slogani që do të përdoret pasditen e sotme në protestë kundër dhunës ndaj grave dhe fenomeneve të këtij tipi.