“Oh My God” nuk titullohet thjesht kënga e fundit e Adele, por shprehja që do të thoni teksa shihni videon!
E xhiruar në bardh e zi, videoklipi ka një estetikë që të mban të mbërthyer pas ekranit dhe sekuenca që tregojnë ndjenja dhe situata të ndryshme. Për këtë rast, artistja është shndërruar në një lloj përzierjeje mes Borëbardhës dhe Mbretëreshës së përrallës edhe falë veshjeve që mbajnë firmën e stilistëve Louis Vuitton (në rastin e kapuçit të bardhë) dhe Vivienne Westwood (për finalen), gjithçka është futur në një kontekst që duket si një Eden modern.
Për domethënien e këngës, Adele e ka shpjeguar tashmë në një intervistë se i referohet momentit kur mendoi të niste sërish me takime romantike, pas divorcit nga Simon Konecki. Ne e dimë që një nga ato takimet e para pati një vazhdim: aktualisht artistja 33-vjeçare është në një lidhje me Rich Paul, agjent i lojtarëve të NBA dhe sportistëve të tjerë.
“Oh my GOD” është për herën e parë që dola nga shtëpia pas ankthit tim dhe gjërave të tilla, të cilat filluan të qetësohen. Dola me miqtë, ata më thanë: ‘Ti je beqare, je 30 vjeç dhe je gati të hidhesh në sulm. Dhe unë u thosha “nuk jam aspak gati”,- tha asokohe Adele për Audacy.
Por sipas fansave, Adele ka futur simbole në të gjithë videon “Oh My God” që mund të tregojnë edhe më shumë për kuptimin e këngës. Ja çfarë janë dhe çfarë kuptimi kanë sipas tyre!
KARRIGIA – Adele ka kënduar e ulur në një karrige dhe në videot e “Hometown Glory”, “Rolling In The Deep” dhe më të fundit “Easy On Me”. Në “Oh My God”, në një moment karrigia merr flakë: do të ishte një mënyrë për të thënë se kapitulli është mbyllur, ose më mirë djegur dhe është koha për të ecur përpara dhe për të mos u ulur më.
MOLLA DHE GJARPRI – Janë simbolet biblike të tundimit: molla dhe gjarpri që i sugjeron Evës ta hajë. Ndërkohë Adele këndon: “I know that it’s wrong, but I want to have fun”, ose “E di që është gabim por dua të argëtohem”. Molla në veçanti do të simbolizonte daljen në takime romantike dhe për këtë përfundimisht kafshohet, ndërsa gjarpri që mbështillet rreth karriges do të ishte një paralajmërim për të mos u kthyer në marrëdhënien e mëparshme.
KALI – Ai shfaqet në skenë teksa Adele thotë: “O Zot, mos më lër të zhgënjej veten”. Këngëtarja nuk i ka hipur, por mban frenat: mes dyshimeve dhe pasigurive për të ekspozuar zemrën e saj jashtë, ajo është ende në kontroll.
KËRCIMI – Në skenën e fundit, të gjithë balerinët e gjejnë veten së bashku duke kërcyer egër sikur të ishin në një festë. Mund të jetë një referencë se si Adele takoi të dashurin e saj Rich Paul, pra në pistën e vallëzimit në ditëlindjen e një shoku.