“Nuk më pëlqen formula e votimit në ‘Kënga Magjike’”, Rovena Dilo shpreh pakënaqësitë mbi përzgjedhjen e fituesit në festival

Rovena Dilo u përfshi kohët e fundit në listën e artistëve që shprehën pakënaqësitë lidhur me konkurrimin jo të drejtë në Festivalin e Këngës në RTSH. Duke qenë se është aktualisht pjesë e garës së ‘Kënga Magjike’, Dilo nuk ka ngurruar të shprehet edhe për sistemin e votimit në këtë festival.

E ftuar në “Mos i fol shoferit”, këngëtarja e ka qartësuar që nuk pretendon çmimin final. Sipas saj, në bazë të marrjes së çmimit nga votat e kolegëve, çdo vit formohen klane lidhur me atë që do të jetë ose jo fitues. “Mua nuk më pëlqen formula e votimit në ‘Kënga Magjike’… Nuk jam në ndonjë klan, nuk punoj me klane, nuk kap njerëz më jep çmimin do të jap kaq; jam aq shumë jashtë kësaj natyre”, është shprehur Rovena, duke vënë në dukje dhe diçka tjetër.

Advertisement

Këngëtarja ka thënë se baladat nuk janë çelësi i vetëm i suksesit. “Jam munduar të sjell gjëra të reja, të bëj një lloj avandgardizmi edhe në lidhje me brezin që i përkas. Nuk e mban brezin duke qenë ‘old-old’. Fakti që unë solla këtë energji nuk ishte më kot, mbi të gjitha për t’i dhënë një spunto të gjithëve që jo vetëm me balada mund të dukesh mirë”, ka shpjeguar Dilo, duke iu referuar këngës “Cinderella”, me të cilën përfaqësohet këtë vit në ‘Kënga Magjike’. Ajo ritheksoi se konkurrimi në këtë edicion nuk ka ardhur me pretendimin për të dalë fituese e çmimit të madh.

/News31.al/