Noizy pranon fajësinë dhe kërkon falje para gjykatës

Para dy vitesh, dy grupet e repit, OTR dhe Babastars u përleshën para një hoteli në Prishtinë, përleshje kjo që përfundoi me pasoja.

Sipas raportimeve, miqtë e Noizy-t ngacmuan Skivin e Babastars dhe këtu nisi konflikti. Pak më vonë, Skivi u rikthye në ambientet e hotelit bashkë me miqtë e tij dhe nisën një shkëmbim zjarri me grupin kundërshtar.

Katër ditë pasi janë mbushur dy vjet nga sherri me armë në të cilën kishte mbetur i plagosur lideri i OTR-së, palët u përballen në gjykatë.

Noizy ishte i pari që u deklarua për këtë rast.

Në deklarimin e sotëm gjatë seancës gjyqësore në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Noizy tha se ndihet keq për konfiktin në të cilin ai kishte mbetur i plagosur.

“Akuzën e pranoj. E kuptoj shumë mirë. Unë ndihem me të vërtetë fajtor. Nuk e di a do të më pranohet kjo por kërkoj falje, kjo ka ndodhë, ne jemi të rinj dhe ne e kemi falë njëri- tjetrin. Kemi vendosë që të kaluarën ta lëmë prapa. Jemi takuar edhe me familjen e Albertit dhe me familjen time, kemi vendosur që këto t’i lëmë prapa”, -tha reperi.

Pas tij, fajësinë e pranoi edhe pjesëtari tjetër i grupit rival Babastars, Albert Krasniqi.

“Po e pranoj fajësinë dhe ndjehem shumë keq që ndodhi. Ne jemi pajtuar dhe tashmë jemi miq”, -u shpreh Krasniqi.

Burimi: Kallxo.com