Studiuesi dhe restauratori Frederik Stamati, na sjell përsëri një dokument autentik që lidhet me historinë e sportit në Shqipëri.

Ai sjell vulën  e Klubit Sportiv të Tenisit, në përbërje të Institucionit Herbert, të organizuar në Tiranë. Në pjesën mbrapa kjo vulë  ka vitin 1920, inicialet e prodhuesit në Tiranë, si edhe një shkrim disi të prishur. Stamati tregon se  është marr me të 8 apo 9 vjet më parë, vetëm për ta konservuar, por jo për ta restauruar.

Advertisement

Vula është prej gome. Në atë kohë vulat prodhoheshin me lateks gome, të marrë nga pema e kaucukut, butadien është përbërja kimike e saj.

“Me kohë ka pësuar një deformim mekanik, i cili kërkon një punë restaurimi, që do të zgjasë në kohë”, tregon Stamati. Vula është në ruajtje në sistemin e muzeumeve të Shqipërisë, ku duhet të jetë dorëzuar në vitin 1946. “Lidhur me historinë, për të cilën ka hapësira për të kërkuar më shumë, po i drejtohem asaj çfarë ka botuar Auron Tare në gazetën “Shekulli”, datë 15 mars 2008”, komenton Stamati.

“Në këtë rast do të veçoja Aubrey Herbert, një aristokrat anglez, oficer i Shërbimit Inteligjent Ushtarak me qëndër në Kajro. Herbert, djali i dytë i Erlit IV Carnavon,  vëllai i tij Lordi Carnavon ishte zbuluesi i famshëm i varrit të faraonit egjiptian, Tutenkhamun, vinte nga një familje shumë e pasur dhe kishte eksperiencë në Lindjen e Mesme.

Fliste disa gjuhë, përfshirë këtu arabishten por dhe shqipen. Herbert u angazhua shumë në fatin e Shqipërisë para dhe pas Luftës së Parë Botërore dhe dosja e tij ka një sërë raportesh interesante mbi gjendjen e Shqipërisë para viteve 1920”, citohet në zbulimin e Tares.
Ledi Carnavon, krijoi në  kujtim të të birit institucionin “Herberet”.

Në shtypin e kohës konfirmohet se institucioni dhe biblioteka që hapi Ledi Carnavon kishte edhe një fushë tenisi, që ishte përfshirë në sipërfaqen e këtij institucioni. Koloneli Herbert ishte i biri i Ledi Carnavon.