Brad Pitt i është drejtuar gjykatës pas akuzave të Angelinë Jolie se ai nuk ka paguar aq sa duhet për gjashtë fëmijët e tyre, duke i hedhur poshtë ato.
Në një dokument të dorëzuar në gjykatë këtë të mërkurë, avokati i Pitt, Lance Spiegel thotë se aktori i ofroi Jolie-s 8 milionë dollarë për të blerë banesën e tanishme dhe se që prej 2016-s Pitt ka paguar fatura me vlerë 1.3 milion dollarë në emër të Jolie dhe gjashtë fëmijëve që kanë bashkë. Avokati i Pitt e quajti akuzën e Jolie një “tentativë të dobët për të manipuluar mediat.”
Mosmarrëveshjet nisën pasi avokatja e Jolie dorëzoi në gjykatë një dokument ku akuzonte Pitt se s’i kishte mbështetur mjaftueshëm financiarisht fëmijët e tij.
“Pitt është i detyruar të mbështesë fëmijët financiarisht. Deri më sot, Pitt s’ka paguar asnjë këst domethënës, që prej ndarjes,” shkruan avokatja e Jolie, Samantha Bley DeJean në dokumentin ligjor.
DeJean vazhdon më tej dhe thotë se gjykata duhet ta bëjë Pitt të paguajë paratë që i detyrohet Jolie.
“Duke marrë parasysh se marrëveshjet informale mbi pagesat për shpenzimet e fëmijëve nuk janë respektuar rregullisht nga Pitt prej më shumë se një viti e gjysmë, Jolie synon të kërkojë një urdhër gjykate prapaveprues për të përfituar pagesat e prapambetura,” shkruhet në dokument.
Një burim pranë Brad Pitt foli për CNN dhe tha se “është i trishtë fakti që po përpiqen të përgënjeshtrojnë situatën, sidomos duke marrë parasysh se Pitt i ka përmbushur gjithë detyrimet.”