Reperja Nicki Minaj e anuloi shfaqjen e planifikuar në Arabinë Saudite javën e ardhshme, duke e argumentuar këtë vendim të sajin me mbështetjen për të drejtat e grave dhe komunitetit LGBT.
Njoftimi i pjesëmarrjes se këngëtares në festivalin madhështor të Jeddah kishte shkaktuar zemërimin e kritikëve të qasjes që Rijadi ka në raport me të drejtat e grave. Disa të tjerë nga ana tjetër shtronin sesi do të priteshin tekstet e këngëtares apo veshjet e saj tejet të zbuluara në mbretërinë ultra konservatore.
Arabia Saudite po përpiqet t’i lehtësojë kufizimet që rrethojnë argëtimin në vend me shpresën se kështu do të arrijnë të inkurajojnë rritjen e sektorit të artit. Por që prej vrasjes se gazetarit Jamal Khashoggi brenda konsullatës saudite, tetorin e vitit Të kaluar, çështja e të drejtave të njeriut në këtë vend po vëzhgohet me kujdes të shtuar.
Në muajin mars, Arabia Saudite tërhoqi një tjetër valë kritikash, kur nxori në gjyq 10 aktivistë të të drejtave të grave. Te premten fondacioni i të drejtave të njeriut me seli në Shtetet e Bashkuara, i kërkoi përmes një letre të hapur Nicki Minaj që të tërhiqej nga festivali i 18 korrikut dhe reperja duket ia vuri veshin thirrjeve të tij për të refuzuar paratë e regjimit saudit.
/TopChannel/