Nisma e marrë së fundi nga MAS është bazuar edhe në shumë prej ankesave të prindërve dhe fëmijëve për ngarkesë të madhe gjatë procesit mësimor, si edhe për peshën e rëndë të çantave të shpinës së fëmijëve.

“Tri lëndë në gjashtë orë” është nisma më e re e Ministrisë së Arsimit që parashikohet të ketë një lloj revolucioni në shkollat e arsimit bazë në vend. Mënyra tradicionale e orarit të mësimit do të ndryshojë shumë shpejt dhe që nga 1 shkurti do të nisë një model i ri, i cili pritet të sjellë më shumë rezultat. Ky ndryshim që parashikohet të nisë shumë shpejt, edhe ky problem duket se do të marrë fund, sepse në bazë të kësaj nisme do të ndryshojë në mënyrë thelbësore orari i përditshëm i nxënësve.

Advertisement

Sipas MAS, një prej ndryshimeve të nevojshme dhe të domosdoshme për përmirësimin e efektivitetit të procesit të të nxënit të nxënësve është rritja e fleksibilitetit të shkollës për të menaxhuar dhe për të organizuar orarin mësimor.

Në sistemin arsimor parauniversitar, për çdo ditë nxënësit zhvillojnë 4 – 6 orë mësimore/ditë, në varësi të nivelit të arsimit (në arsimin fillor 4-5 orë/ditë, në arsimin e mesëm të ulët dhe të lartë 5-6 orë/ditë). Ora e mësimit zgjat 45 minuta. Aktualisht, shkollat e ndërtojnë orarin mësimor duke planifikuar për çdo ditë lëndë të ndryshme, në varësi të numrit të orëve për secilën klasë, që do të thotë nxënësit zhvillojnë 4- 6 lëndë në ditë.

Ky model i organizimit të orarit, i zhvilluar deri më tani, në shumë raste sjell mbingarkesë të nxënësve, në lidhje me numrin e lëndëve që duhet të studiojnë për çdo ditë (deri në 6 lëndë/ditë), shqetësim i cili shoqërohet edhe me pasoja të tjera, si për shembull:

– Numri i madh i lëndëve që nxënësit zhvillojnë brenda një dite, sjell ngarkesë të përditshme të teksteve dhe të fletoreve, të cilat nxënësit duhet t’i marrin me vete në shkollë. Aktualisht, pesha e çantave që duhet të mbajë një fëmijë e tejkalon raportin peshë çantë/ peshë trupore.

– Në shumë raste gjatë 45 minutave, për zhvillimin e disa lëndëve, mësuesit “marrin kohë” nga pushimet midis orëve ose nga orët e lëndëve të tjera “më pak të rëndësishme”.

– Në disa raste, nxënësve u mungon koha e nevojshme për të kryer detyra që kërkojnë zbatim të njohurive, punë në grup, punë të pavarur etj.

Në bazë të këtij ndryshimi, shkolla mund të riorganizojë orët mësimore të lëndëve, duke zhvilluar për një lëndë, 2 (dy) orë mësimore të njëpasnjëshme (45 + 45), sigurisht me pushimin 5-minutësh ndërmjet tyre. Kjo do të thotë që nxënësi mund të zhvillojë në një ditë 3 lëndë të ndryshme dhe jo 6 lëndë të ndryshme. Zhvillimi i lëndëve mësimore në dy orë të njëpasnjëshme brenda një dite është një praktikë që zbatohet edhe në vendet e tjera.

Qëllimi i kurrikulës së re, sipas MAS, është që të ndërtojë dhe të zhvillojë kompetenca te nxënësit. Kjo do të thotë që gjatë orës së mësimit të përdoren metoda, teknika dhe strategji, të cilat do t’u mundësojnë nxënësve që të ndërtojnë vetë dijet dhe njohuritë e tyre. Kjo nismë do të zbatohet në të gjitha shkollat e arsimit bazë dhe arsimit të mesëm të lartë.

Referuar kësaj nisme, shkollat kanë lirinë dhe fleksibilietin të riorganizojnë orët mësimore për secilën lëndë, të përcaktuara në planin mësimor të arsimit bazë dhe arsimit të mesëm të lartë, duke bërë grupime të këtyre orëve.

Brenda një dite mësimi, një lëndë mund të zhvillohet në dy orë mësimore të njëpasnjëshme (45 min + 45 min.), me 5 minuta pushim në mes. Pushimi i madh mund të zhvillohet pas 2 orëve të para. Dhe pas 2 orëve të dyta mund të bëhen 10 minuta pushim.