Në finalen e Kupës së Mbretit, mes Barcelonës dhe Sevillas, të gjithë panë Andres Iniestën të shfaqë emocionet e tij mes lotëve, që tregon se 33-vjeçari tashmë e ka marrë vendimin e tij për t’u larguar nga katalanasit, me të cilët ka fituar aq shumë trofe.
Tani, pikëpyetjet janë ngritur për të ardhmen e tij, por duket se gjërat kanë ndryshuar kohët e fundit, e Kina mund të mos jetë destinacioni i tij i ri. Sipas asaj që publikohet në medien spanjolle, dy klube europiane po kërkojnë të evitojnë kalimin e tij në vendin aziatik. Ato janë Manchester City dhe Arsenal.
Kampionët e saposhpallur të Anglisë kanë në pankinën e tyre Pep Guardiolën, një trajner të cilin Iniesta e njeh shumë mirë, duke qenë së ka punuar me të te Barcelona. Arsenali, pas largimit të Wengerit mund të sjellë në stolin e skuadrës Luis Enriquen, edhe ky një trajner me të cilin mesfushori spanjoll, i cili në maj do të festojë 34-vjetorin e tij, ka arritur shumë suksese, sërish me Barcelonën.
Gjithnjë sipas medies iberike, si Manchester City, ashtu dhe Arsenali, duke pasur parasysh këtë fakt do të bëjnë oferta tunduese për të pasur në radhët e tyre Iniestën, i vetmi person që bën bashkë një Spanjë të tërë.