5 shtatori, Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës ësht♪7 shpallur festë zyrtare në Shqipëri.
Tirana do të festojë “Ditën e Shën Terezës” me maratonën e shërbimeve të komunitetit. Kështu shkruan kreu i bashkisë Erion Veliaj në një postim në Facebook, ndërsa citon edhe një mesazh te shenjtores.
“Nuk ka gjëra të mëdha, vetëm gjëra të vogla me dashuri të madhe! Ajo që ne ndjejmë se bëjmë është vetëm një pikë uji në oqean. Por oqeani do të ishte më i pakët për shkak të asaj pike që mungon”- Nënë Tereza. Tirana do të festojë Ditën e Shën Terezës me maratonën e shërbimeve të komunitetit”, shkruan Veliaj.
Bashkia e Tiranës ka hapur në këto tre vite disa mensa sociale në të gjithë kryeqytetin duke iu gjendur pranë qytetarëve që kanë nevojë për mbështetje.
Këshilli i Ministrave të Shqipërisë miratoi një ndryshim në ligjin “Për festat zyrtare” në vend, sipas të cilit data 19 tetor që ishte “Dita e Lumturimit të Nënë Terezës”, zëvendësohet me datën 5 shtator, që është “Dita e Shenjtërimit të saj”. 5 shtatori i 2016-s shënoi në kalendarin Apostol Ditën e Shenjtores shqiptare, Nënë Tereza e Kalkutës.
Nënë Tereza ose Shenjt Tereza e Kalkutës lindi në Shkup në vitin 26 gusht 1910. Emri i saj i lindjes është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu. Ajo vizitoi Shqipërinë për herë të parë në gusht të vitit 1989.
Shenjt Tereza, por që në mbarë botën thirret “Nënë Tereza”, një grua me fytyrë të imët, të rrudhur, të plakur, pushtoi imagjinatën e botës me përkushtimin e saj ndaj të varfërve, veçanërisht në qytetin indian të Kalkutës, ku ajo fillimisht themeloi strehimoren e saj të parë për të pritur me mijëra “njerëz të trotuar”.
Shenjt Tereza është shembull i jashtëzakonshëm i misionit të heshtur e të pareshtur të bamirësisë, dëshmitare e paharrueshme e dashurisë, që gjeti shprehjen e vet konkrete në shërbimin e vazhdueshëm ndaj vëllezërve e motrave më të varfër e më të braktisur të botës, pa dallim e pa përjashtim race, feje, kombësie apo përkatësie shoqërore.