A mendon me të vërtetë që të ndjekësh një leksion ku pedagogu lexon dhjetra slide PowerPoint i bën studentët më të zgjuar dhe më të aftë?
I krijuar në vitin 1987, pjesë e paketës Microsoft Office, PowerPoint-i është i instaluar në më shumë se sa 1 miliardë kompjutera në botë dhe përdoret çdo ditë për rreth 30 milion prezantime. Teksa ky software ka pushtuar botën, kritikat mbi përdorimin e tij nuk janë të pakta. Me të drejtë! Slidet i thjeshtojnë idetë përtej masës së nevojshme dhe prezantimi me pika të nënrenditura e fsheh kompleksitetin e tematikave që trajtohen.
Cfarë është kaq e gabuar me PowerPoint?
Studimet tregojnë se edhe pse studentët preferojnë prezantimin e leksioneve me PowerPoint, përdorimi i tij nuk ndikon aspak në rritjen e notave apo përmirësimin e të mësuarit. Pëlqimi i dickaje nuk e bën atë efektive. Përdorimi i PowerPoint është i dëmshëm në procesin e edukimit për të paktën tre arsye kryesore
- Prezantimi i leksioneve me PowerPoint dekurajon dhe zhvleftëson mendimin kompleks. Slidet i detyrojnë pedagogët që të prezantojnë ide komplekse duke përdorur pika të nënrenditura, figura abstrakte dhe tabela të thjeshtuara përtej masës. Kjo gjë i ofron studentëve vetëm iluzionin e qartësisë dhe të kuptuarit, por nuk i zhyt ata në oqeanin e dijes.
- Studentët e mendojnë lëndën si një bashkësi slide-sh. Pedagogët që trajtojnë çështje komplekse kritikohen për paqartësi në shpjegim. Mësuesit që menjanojnë listat me pika të nënrenditura akuzohen se nuk ofrojnë përmbledhje të nevojshme për shënime.
- Slidet dekurajojnë pritshmëritë e arsyeshme që studentët duhet të kenë për lëndën. Studentët mendojnë që slidet duhet të përmbajnë çdo detaj të nevojshëm për të zhvilluar me sukses detyrat, projektet, testet, e më tej, aftësitë e tyre teorike dhe praktike në degën që studiojnë.
Tek e fundit, përse duhet që një student të shpenzojë kohë për të lexuar librat, ndërkohë që mund të marrë notën 10, edhe vetëm duke iu përmbajtur slide-eve?