Ndahet nga jeta ish-ministri i Mbrojtjes

Ditën e sotme është ndarë nga jeta në moshën 70- vjeçare ish- ministri i Mbrojtjes, Luan Hajdaraga.

Në maj të 2018 Qeveria miratoi një vendim për akordimin e fondit prej 1.9 milionë lekë për mbulimin e shpenzimeve mjekësore për zotin Hajdaraga. Fondi mbulonte transportin jashtë vendit për ish-ministrin pasi kishte pësuar ishemi në tru. Hajdaraga ishte dërguar për mjekim në Turqi por më pas u kthye. Me gjithë trajtimet disa-mujore, ai ka ndërruar jetë këtë të hënë (30 korrik) në urgjencën e QSUT-së.

Advertisement

Luan Hajdaraga ka qenë një figurë mjaft e njohur e politikës shqiptare nga shembja e komunizmit deri më sot. Ai ka mbajtur një seri postesh të larta qeveritare dhe partiake në PS, si dhe ka qenë edhe deputet i kësaj force politike. Nga viti 1998 deri në vitin 2000 ai ka qenë dhe Ministër i Mbrojtjes. Hajdaraga për shumë vite ka qenë edhe nënkryetar i Partisë Socialiste.

Presidenti Meta përcolli një mesazh ngushëllimi.

“Me dhembje të thellë mësova lajmin e ndarjes së parakohshme nga jeta të Luan Hajdaragës, mikut të vjetër dhe të dashur, ish-Ministër, ish-deputet dhe një nga personalitetet më në zë të Partisë Socialiste që në fillimet e saj. Luan Hajdaraga shquhet për kontributin e tij të konsiderueshëm në Partinë Socialiste, në vitet e para të sfidave të saj gjatë fillimeve të demokracisë në Shqipëri por veçanërisht, si Ministër i Mbrojtjes dallohet kontributi i tij gjatë krizës së Kosovës në vitet ‘99 dhe bashkëpunimit me NATO-n dhe aleatët.
Luani mbetet një nga përkrahësit më të vendosur të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe si Ministër i ngarkuar i Punëve të Jashtme ai dha kontributin e tij të rëndësishëm në këtë proces. Me humbjen e tij opinioni publik shqiptar humbi një nga analistët më në zë dhe objektivë të çështjeve të sigurisë, atyre të politikës së jashtme, por edhe të problemeve sociale për të cilat ai fliste me pasionin e tij të rinisë. Familja e tij humbi para kohe një bashkëshort e baba të përkushtuar dhe të gjithë ne, një mik të dashur të cilin do ta kujtojmë gjithmonë me dashuri dhe respekt.”